Pse nuk na intereson e vërteta?

Në fund të jetës së tij, Herman Melville (autori i Moby-Dick) shkroi një libër të quajtur Mashtruesi i madh. Romani zhvillohet në një avullore dhe përbëhet nga një seri tregimesh të shkurtra që përfshijnë mashtrues, gënjeshtarë dhe viktima të tyre. Në botën e Melville-it, njerëzit ndahen në tri kategori: naivët e besueshëm, cinikët dyshues dhe mashtruesit. Nuk është nevoja ta lexoni Mashtruesi i madh për të kuptuar se si përfundon – ata që besojnë verbërisht, humbin. Ata gëlltiten dhe pështyhen jashtë. Çdo naiv që ka para, shpejt do të mbetet pa asgjë.

Njerëzit gënjejnë gjatë gjithë kohës. Me shumë mundësi, edhe ju keni gënjyer së fundmi, duke qenë se shumica prej nesh gënjejnë rreth 30 herë në ditë. Gënjeshtra është një nga truket më të rëndësishme që kemi për të fituar avantazh ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, komunikimi njerëzor shpesh përfshin një lloj gare të armatosur. Njerëzit do të përpiqen t'ju mashtrojnë, dhe ju do të zhvilloni mjete për t’i zbuluar. Ata do të përpiqen t’ju shesin diçka, dhe ju do të mësoni të dalloni kur po ju gënjejnë.

Kjo ka çuar disa filozofë dhe psikologë të propozojnë idenë e "vigjilencës epistemike". Vigjilenca epistemike është argumenti se kemi një arsenal mjetesh për të identifikuar dhe ekspozuar gënjeshtrat. Në një punim themelor mbi këtë temë, Sperber et al. argumentojnë se "njerëzit kanë një grup mekanizmash kognitivepër vigjilencë epistemike, të drejtuara ndaj rrezikut të marrjes së informacionit të gabuar nga të tjerët". Me fjalë të tjera, kemi një detektor të lindur të gënjeshtrave.

Por sipas një studimi të fundit, është koha të dyshojmë mbi aftësitë e këtij detektori të gënjeshtrave.

Argumenti për vigjilencën epistemike

Ka dy aspekte kryesore të këtij argumenti. Së pari, të rriturit janë vazhdimisht duke vlerësuar sa të besueshëm janë të tjerët. Jemi një specie që fillimisht priret t’i besojë të tjerëve, por me kalimin e kohës, nëse dikush na gënjen ose gabon, ne e rregullojmë vigjilencën tonë epistemike. Për shembull, mund të mendojmë: "Mirë, Aleksi nuk di asgjë për futbollin, kështu që nuk do ta pyes më për këtë temë."

Së dyti, fëmijët mësojnë shumë herët se kujt duhet t’i besojnë dhe kujt jo. Psikologu Pascal Boyer vuri re se foshnjat "duken të ndjeshme ndaj dallimit mes një personi ekspert dhe një të padituri". Më vonë, fëmijët e vegjël përdorin shenja të kompetencës për të gjykuar nëse dikush është i besueshëm apo jo, dhe nuk u besojnë atyre që më parë kanë gabuar ose që duken sikur duan t’i shfrytëzojnë të tjerët.

Sipas këtij argumenti, njerëzit lindin me një aftësi për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Kemi vigjilencë epistemike.

Një gabim logjik

Filozofi Jozef Shiber mendon se këtu ka një problem. Ai nuk e mohon që jemi vigjilentë – provat tregojnë qartë se jemi – por ai e kundërshton idenë se kjo është vigjilencë epistemike.

Problemi është se njerëzit janë treguar vazhdimisht të paaftë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Siç thotë Shiberi, "Pavarësisht dekadave të kërkimeve, gjetjet janë jashtëzakonisht të qëndrueshme në tregimin se njerëzit janë mjaft të dobët në zbulimin e mashtrimit". Pra, nëse kemi një detektor të lindur të gënjeshtrave, ai është shumë i pasaktë, shpesh i fikur dhe zakonisht i shpërqendruar.

Gjithashtu, nuk jemi shumë të mirë për të vlerësuar nëse dikush është i aftë. Dy studime – nga viti 1996 dhe 2005 – treguan se njerëzit përdorin faktorë jo-epistemikë për të përcaktuar nëse dikush është kompetent. Gabimisht mendojmë se një person me fytyrën "e duhur" është i aftë, ose që dikush që ecën, flet dhe sillet në një mënyrë të caktuar duhet të jetë kompetent. Në realitet, asnjë nga këta faktorë nuk garanton besueshmëri.

Teza e Niçes

Kështu, mbetemi me dy fakte. Jemi vigjilentë ndaj asaj që thonë njerëzit, por kjo vigjilencë nuk bazohet në të vërtetën. Atëherë, mbi çfarë bazohet?

Për këtë, Shiber shpiku shprehjen "Teza e Niçes". Ai argumenton se "qëllimi ynë në bisedë nuk është kryesisht të marrim informacion të vërtetë... por të prezantojmë veten tonë në mënyrën më të mirë të mundshme". Me fjalë të tjera, ne pranojmë ose refuzojmë pohimet e njerëzve bazuar në përfitime praktike, jo në vërtetësinë e tyre. Sipas Niçes, ne kërkojmë të vërtetën vetëm kur ajo ka "pasoja të këndshme dhe të dobishme për jetën". Përndryshe, jemi armiqësorë ndaj "të vërtetave të rrezikshme dhe shkatërruese". Pra, nuk kemi vigjilencë epistemike, por vigjilencë makiavelike.

Një shembull i rëndësishëm i kësaj hipoteze në shoqërinë moderne është përhapja e teorive konspirative dhe informacionit të pasaktë në internet. Nëse vigjilenca epistemike do të ishte e vërtetë, të gjithë do të verifikonim faktet dhe do të refuzonim teoritë konspirative gjatë gjithë kohës. Por nuk e bëjmë. Kur një folës karizmatik dhe bindës thotë diçka, ne e pranojmë shumë më shpesh në mënyrë makiavelike. Ne priremi të aprovojmë nëse të tjerët aprovojnë. Ne e pranojmë nëse ajo na ndihmon të ruajmë statusin tonë shoqëror.

Teza e Shiberit ngre pyetje të mëdha jo vetëm për filozofinë, por edhe për ligjin: Nëse njerëzit nuk janë të programuar për të kërkuar të vërtetën, sa e besueshme është dëshmia në gjykatë? Kjo është gjithashtu diçka e rëndësishme për t’u kujtuar në ndërveprimet tona të përditshme, si dhe në atë që lexojmë, dëgjojmë apo shohim në internet. Është e rëndësishme të pranojmë se shpeshherë nuk jemi as të aftë dhe as të interesuar për të vërtetën. Shumë më shpesh, jemi të interesuar për gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me të. /Big Think - Syri.net