Manastirliu: 800 ekipe sportive në shkolla, do të zgjerohemi edhe në disiplina të tjera
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh sot gjatë podkastit EduLab, ku të ftuar ishin talente shqiptare në mundje, taekwondo, boks dhe peshëngritje, se fokusi i qeverisë është jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës sportive në shkolla dhe krijimin e terreneve të reja sportive, por edhe në shpërblimin e sportistëve që e ngrenë lart flamurin shqiptar, duke i bërë të gjithë të ndihen krenarë.
Me kampionët Enkileda, Esmeralda, Kevin dhe Ernesti, ministja foli për sfidat dhe rrugëtimin e tyre në sportin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar.
“Jemi duke bërë një investim në Universitetin e Sporteve për pistën, stadiumin për të bërë një infrastrukturë moderne jo vetëm për studentët e këtij universiteti, por edhe për sportistët tanë edhe ata elitarë. Në sport është bërë një ndryshim epokal jo vetëm në infrastrukturë. Janë më shumë se 200 terrene sportive të reja, rreth 450 shkolla ku përfshihen palestrat dhe terrenet sportive. Janë më shumë se 800 ekipet sportive në rang kombëtar, por duam që të nxisim edhe më shumë sportin te të rinjtë, duke i mbështetur dhe shpërblyer sportistët që ngrenë lart flamurin dhe na bëjnë krenarë”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu pohoi se gjatë vitit të kaluar janë shpërblyer mbi 24 sportistë, trajnerët e tyre, ndërsa Shqipëria mori dy medaljet e para olimpike në Lojërat Olimpike.
