Kumbaro nga Vlora: Gati plani i masave për sezonin veror 2025, do të kemi 973 stacione publike plazhi

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro po mbajnë sot një takim me turoperatorët dhe kryetarët e bashkive bregdetare për përgatitjet për sezonin veror 2025.

Ministrja Kumbaro, teksa foli për planin e masave, sqaroi se këtë vit do të kemi 973 stacione publike plazhi.

“Kemi këtë vit, 973 stacione plazhi publike si asnjë herë më parë, gjithashtu rregullin që në 1 km vijë bregdetare 300 metra të jenë publik. Për të mos qenë vetëm në anën e publikut, sepse investitorët janë motori i zhvillimit, i kemi dhënë prioritet bizneseve me investime serioze akomoduese. Prioritet u është dhënë strukturave akomoduese me kategorizim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Nuk ka qenë proces i lehtë, edhe pse është proces i ri. Kemi qenë në komunikim të përjavshëm edhe me kryerarët e bashkive. Stacionet e plazhit nuk duhet të jenë biznesi kryesor. Biznesi kryesor është turizmi i qëndrueshëm, plazhi është një aksesor për të krijuar eksperienca për turistët. Plani i masave është gati për këtë sezon veror, është ngritur taskforca”, sqaroi ministrja Kumbaro.

Për sa i përket pritshmërive për vitin 2025, ministrja Kumbaro u shpreh se “siç raportojnë operatorët nga ITB BERLIN, kontratat ishin jo vetëm për 2025, por tani edhe për 2026 dhe kanë nisur rezervimet për 2027. Kemi mbi 700 udhërrëfyes të certifikuar si një tregues i rritjeve të standardeve”.

Në fund të fjalës së saj, ministrja Kumbaro u shpreh se me ndryshimet e reja rriten përgjegjësitë e bashkive për menaxhimin e territoreve publike, duke vënë theksin te pastërtia, si dhe masat e sigurisë.