Papa Françesku me një përshëndetje! Të dielën pritet dalja publike e Atit të Shenjtë pas 5 javësh! Vijon trajtimi spitalor
Papa Françesku pritet të bëjë paraqitjen e tij publike, 5 javë pas shtrimit në spital. Vatikani bën me dije se këtë të diel do të ketë një përshëndetje nga Ati i shenjtë nga dritarja e dhomës së spitali ku Papa vijon kurimin ndaj pneumonisë së dyfishtë!
Papa Françesku planifikon të bëjë paraqitjen e tij të parë këtë të diel pas pesë javësh i shtruar në spital, duke ofruar një bekim nga dritarja e dhomës së tij në spitalin Gemelli të Romës, ndërsa ai lufton me pneumoninë e dyfishtë, tha Vatikani.
Françesku, 88 vjeç, u shtrua në spital më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator që ka kërkuar trajtim në vijim.
Papa është parë vetëm një herë gjatë qëndrimit të tij në spital, në një foto që Vatikani publikoi javën e kaluar, ku shfaqet në lutje në një kishëz spitalore.
Në një deklaratë të Vatikanit bëhet me dije se Ati i shenjtë dëshiron të vijë me një përshëndetje dhe bekim nga dritarja e spitalit rreth mesditës.
Papa zakonisht bën një lutje javore të mesditës në sheshin e Shën Pjetrit të dielave dhe nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë që nga 9 shkurti, përpara se të shkonte në spital.
Vatikani tha se Papa Françesku nuk pritej të bënte lutjen këtë të dielë, por do të vijë në dritare për një përshëndetje.
Ndërsa mjekët nuk kanë dhënë ende asnjë indikacion se kur Papa do të dalë nga spitali.
Megjithë qëndrimin në spital për pesë javët e fundit, Papa ka vazhduar të punojë, duke dërguar mesazhe për grupet e pelegrinëve, duke kremtuar meshën dhe madje duke dërguar një mesazh zanor më 6 mars për të falënderuar të gjithë për dëshmitë e tyre të dashurisë dhe solidaritetin.

