BM, Franca dhe Gjermania kërkojnë armëpushim në Gaza, thirrje Izraelit të rivendosë aksesin humanitar
Qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë se Madhe kërkuan dje në mbrëmje një kthim të menjëhershëm të armëpushimit në Gazë – në një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje gjithashtu Izraelit të rivendoste aksesin humanitar, sipas “Reuters”.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të rivendosë aksesin humanitar, përfshirë ujin dhe energjinë elektrike, dhe të sigurojë akses në kujdesin mjekësor dhe evakuime të përkohshme mjekësore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, thanë në një deklaratë ministrat e Jashtëm të tre vendeve, të njohur si E3.
Ministrat thanë se ishin të tmerruar nga numri i viktimave civile dhe u bënë thirrje gjithashtu militantëve palestinezë të Hamasit të lironin pengjet izraelitë.
Ata thanë se konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve nuk mund të zgjidhej me mjete ushtarake dhe se një armëpushim afatgjatë ishte e vetmja rrugë e besueshme drejt paqes.
Ministrat shtuan se ishin thellësisht të tronditur nga incidenti që preku ndërtesën e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS) në Gazë dhe kërkuan një hetim të incidentit.

