Gjykata e Lartë pezullon shkarkimin e kreut të inteligjencës izraelite
Gjykata e Lartë e Izraelit pezulloi sot vendimin e qeverisë për të shkarkuar kreun e shërbimit të brendshëm të inteligjencës “Shin Bet”, Ronen Bar disa orë pasi kabineti ra dakord për vendimin.
Një gjyqtar lëshoi sot një masë të përkohshme, e cila, sipas gjykatës, do të qëndrojë në fuqi deri në mbajtjen e seancës deri më 8 prill.
Qeveria e Izraelit miratoi shkarkimin shumë të diskutueshëm të kreut të “Shin Bet”, Ronen Bar gjatë natës, pavarësisht protestave masive.
Disa grupe paraqitën kërkesa në gjykatë kundër vendimit të qeverisë.
“Partia e qendrës së djathtë, Yesh Atid dhe partitë e tjera paraqitën një kërkesë në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar shkarkimin e Bar”, tha kreu i opozitës, Yair Lapid në një postim në X, duke përmendur një konflikt interesi në vendimin e qeverisë.
Zyra e kryeministrit, Benjamin Netanyahu kishte njoftuar se Bar do të tërhiqej më 8 Prill, nëse një pasardhës nuk do të emërohej më herët.
Netanyahu, joftoi planet për të shkarkuar Bar të dielën në mbrëmje, duke shkaktuar protesta masive.
Mediet izraelite raportuan se kjo ishte hera e parë në historinë e Izraelit që një qeveri shkarkonte kreun e “Shin Bet”
Netanyahu përmendi një “mungesë besimi” te Bar – si arsyen e shkarkimit të tij.
Marrëdhëniet mes të tyre janë acaruar. Netanyahu e hoqi Bar nga ekipi negociator izraelit që zhvillonte bisedimet indirekte me organizatën islamike palestineze Hamas për luftën në Gaza.
Politikat e Netanyahut ishin kritikuar në një hetim të kryer nga “Shin Bet” për gabimet lidhur me masakrën e Hamasit më 7 tetor 2023.
Përveç kësaj, “Shin Bet” po heton lidhjet e dyshuara të paligjshme midis bashkëpunëtorëve të Netanyahut dhe Katarit.
Katari është një nga negociatorët në bisedimet me Hamasin dhe është gjithashtu një mbështetës i grupit.
