Kremlini kritikon vendimin evropian për rritjen drastike të shpenzimeve për mbrojtjen

Rusia ka kritikuar planet e Bashkimit Evropian për të forcuar ndjeshëm mbrojtjen e 27 vendeve anëtare, ndërsa Kremlini vazhdon luftën kundër Ukrainës.

“Militarizimi i Evropës është një prirje jashtëzakonisht e rrezikshme”, tha në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke thënë se kjo gjë ”nuk do të çonte as në uljen e tensionit dhe as në rivendosjen e besimit”.

“Dhe kjo nuk e bën Evropën më të sigurt. Shumë evropianë nuk e pëlqejnë këtë prirje, por pothuajse të gjithë politikanët ndjekin rrjedhën kryesore”, tha zëdhënësi.

Peskov u përgjigj një ditë pasi udhëheqësit e BE vendosën të forcojnë ndjeshëm aftësitë mbrojtëse të Evropës në vitet e ardhshme.

Bashkimi Evropian planifikon të mobilizojë 800 miliardë euro (868 miliardë dollarë) gjatë katër viteve të ardhshme, duke përfshirë 150 miliardë euro kredi për projektet e armatimit dhe përjashtimet nga rregullat e borxhit të BE-së për investimet në mbrojtje.