"Më mbaroi nafta" - Aksidenti me 4 viktima, zbardhet dëshmia e shoferit të betonieres

Detaje të reja janë mësuar nga aksidenti në rrugën Vorë-Fushë Krujë, ku 4 të rinj mbetën të vdekur mesnatën e së mërkurës (19 mars).

U mësua se automjeti me të cilin udhëtonin fillimisht ka kryer parakalimin e 2 kamionëve që lëviznin në rrugën Vorë-Fushë Krujë dhe më pas kanë hyrë sërish në korsin e tyre, moment që pak sekonda më vonë janë përplasur me betonieren e ndaluar.

Referuar dëshmisë së shoferit 24-vjeçar, Aleksandër Krrashi, ka deklaruar se sapo ka hyrë në rrugën kryesore pasi ka dalë nga vendi i punës, i është fikur mjeti pasi sipas tij kishte mbaruar nafta.

"Më mbaroi nafta" - Aksidenti me 4 viktima, zbardhet dëshmia

Ka provuar ta ndezë dy herë dhe më pas ka shkuar në një karburant aty pranë për të marrë naftë dhe sipas tij ka harruar të ndezë bllokazhin e makinës. Burime pranë grupit hetimor thonë se përplasja ka qenë e fortë dhe ka ardhur për dy arsye: prej shpejtësisë së lartë dhe mungesës së fushë-pamjes, për shkak mjeti ka parakaluar dhe nuk e ka parë betonieren e ndaluar.

Nga verifikimet paraprake, në momentin e përplasjes mjeti ka qenë me shpejtësi rreth 170 km në orë, ndërsa gjatë lëvizjes kur ka kryer dhe parakalimin mund të ketë qenë me shpejtësi rreth 200 km në orë.