Rama me kandidatët e Durrësit: Në mandatin e 4-t ndërtojmë rrugën Tiranë-Krujë! Me pasaportën e BE-së, trajtohesh si çdokush në atë vend
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me kandidatët socialistë për deputetë të qarkut të Durrësit.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë premtoi se në mandatin e katërt do të ndërtohet rruga Tiranë-Krujë.
“Në mandatin e katërt do të bëjmë rrugën që Tur Bushi e kërkon që kur ka qenë i vogël, Tiranë-Krujë. Kur erdhi këtu në bashki i them që a mund të fitojë Thumanën, dhe më tha “po”, më the se do të bësh rrugën Tiranë-Krujë, do të futem në Thumanë”. I thashë do bëhet një ditë, do bëjmë edhe rrugën Tiranë-Krujë tani, se i erdhi radha”, tha Rama.
Rama theksoi se këto dhe shumë të tjera nuk mund të arrihen pa mandatin e katërt të Partisë Socialiste.
Pasaporta e BE-së
Rama ritheksoi sot rëndësinë e votës për PS-në në zgjedhjet e 11 majit, duke e lidhur atë me të drejtat që fiton qytetari shqiptar duke qenë pjesë e BE-së.
“Vota më 11 maj nuk është votë për PS-në. Partinë do të votojnë socialistët, por te kutia e PS-së, duhet të votojnë edhe të gjithë demokratët dhe të gjithë çfarë janë në mes. PS është forca që do të fusë Shqipërinë në BE”, deklaroi Rama në takimin për prezantimin e kandidatëve të Durrësit në zgjedhjet e 11 majit.
Zgjedhjet e 11 majit, theksoi ai, kanë edhe komponentin e interesit personal.
“Nuk ka pasur asnjëherë votim në Shqipëri, përveç atyre të 1992, që vota të ketë ndikim të drejtpërdrejt te çdo person”, shtoi Rama.
Kjo sepse, sipas tij, te vota e 11 majit, çdo shqiptar në çdo cep të vendit apo botës, voton dhe merr mbrapsht diçka konkrete, pasaportën e BE-së.
“Pasaporta e BE në fakt si me magji bën kalimin nga një qytetar i dorës së dytë, në një qytetar të barabartë, menjëherë, që nga aeroporti, porti”, tha ai.
Rama shpjegoi se edhe pse qytetarët shqiptarë lëvizin lirshëm në vendet e BE-së nuk kanë mundësinë të qëndrojnë apo punojnë.
“Me pasaportën e BE-së ndalon dhe kërkon punë ku të duash, pa kërkuar leje qëndrimi, sepse ke pasaportën. Nuk ke nevojë të kërkosh pasaportën e tyre, sepse çdo pasaportë përveç Republikës së shtetit të përbashkët ka sipër të shkruar: Bashkimi Europian”, u shpreh kryeministri.
Rama nënvizoi po ashtu se qytetarët pas hyrjes në BE do të mund të përfitojnë edhe trajtim shëndetësor.
“Me pasaportën e BE-së, shkon te mjeku dhe trajtohesh dhe rimbursohesh njëlloj si çdokush në atë vend”, deklaroi Rama.


