Ç’po ndodh në Itali? Po lind një lëvizje e re politike kundër politikës?

“Një shesh për Evropën” është një nga manifestimet më të fuqishme që pritet të mbahet në Romë ditën e shtunë 15 mars 2025.

Një manifestim për qytetarët, vlerat evropiane, larg binomit gjeopolitik Trump-Putin, që bashkon europianizmin civil, intelektualët, artistët, njerëzit që ndjehen ngushtë e të harruar, të frikësuar nga çdo ndodh mes dy superfuqive të botës.

Një manifestim me iniciator Michele Serra-n, një nga editorialistët më të mirë italianë. Me mijëra lexues e ndjekin cdo ditë siç ndodhi dhe me artikullin e tij të datës 10 shkurt me titull "Thoni diçka evropiane" ku i drejtohet partive të shprehin një opinion publik europeist që shkon përtej dyshes Trump-Putin e që politika nuk është vetëm takime e konferenca me xhaketa e kravata".

Një lumë komentesh përfshiu këtë editorial me qindra qytetarë që kërkonin të mbushin një shesh, një rrugë, të ishin pjesë e një manifestimi ku të flitej e të ndjeheshin vetëm evropian.

E prej atij momenti gazetari Serra bëhet nismëtari i një iniciative që pritet të jetë nga më të fuqishmet në Itali, "Një shesh për Europën". Vendtakimi Sheshi i Popullit Romë. ditën e shtunë 15 mars 2025.

Michele Serra mbërrin në konferencën e shtypit me përulje duke deklaruar se "do doja të isha aty në krahun tjetër, aty ku ndodheni gazetarët. "Aty është vendi im" thotë, E u gjenda këtu nga ana tjetër për një editorial që si kurrë më parë pati këtë mbështetje të fuqishme të lexuesve që kërkonin një manifestim vetëm e për Europën".

Prej këtu lindi ideja e këtij manifestimi me mbështetjen e dhjetëra kryebashkiakëve të të gjitha krahëve politikë në Itali, shoqatave e intelektualëve dhe përtej kufijve.

Do të jetë një manifestim me një kriter unik pa flamuj politikë, vetëm flamuri blu evropian, pa liderë politikë e vetëm me praninë kryetarëve bashkiak si përfaqësues të komunitetit të qytetarëve.

Në podium nuk do të ketë asnjë eksponent politik e do t'iu rezervohet vetëm fjalës së artistëve, shkrimtarëve, refugjatëve politikë, vullnetarëve, të personave që do të shprehin se çfarë do të thotë për ta Evropa e çfarë i mungon kësaj Evrope":

 "Reagimi i njerëzve ndaj kësaj ideje ka qenë kaq empatik, emotiv, është reagim i njerëzve të lënë vetëm", shprehet Serra.

"Qytetari ndjehet si një kokërr arre mes dy krahëve të arrë-thyeses njëra në lindje e tjera në perëndim.

E kush më pyet se çfarë platforme politike mbështet ky manifestim u them se është se "duam Evropën, europianët janë këtu e duan që të ketë më shumë Evropë për ta".

"Do të jetë një shesh pluralist që më duket mjaft gjë e mirë e është një shesh që hedh pyetje e kërkon përgjigje nga Evropa".

Kanë aderuar në këtë manifestim kryetarët e bashkive të qyteteve Roma, Milano, Napoli, Bologna, Firenze, Venezia, Palermo, etj.

Aktorët Antonio Albanese, Claudio Bisio, Luciana Litizzietto, artistë e këngëtarë si Giovanotti, Roberto Veçhioni, shkrimtari holandez Jan Brokken, shkrimtari spanjoll Javier Cercas, shkrimtarja afgane Rahel Saya, etj, etj.

 "Ky manifestim është simptoma e një boshllëku krijuar nga politika", thotë Serra, duhet të rinovojmë ndjenjat tona europeiste; liri, paqe e drejtësi sociale."

Miche Serra thotë se nuk është lëvizje politike por një manifestim për qytetarët. E qytetarët janë zgjedhës e përcaktues të votës politike e qeverisë. E vështirë ta quash vetëm manifestim jo politik.