‘Askush nuk është i sigurt/ Kanadaja dërgon një paralajmërim për botën kundër Trumpit

Ministrja e Çështjeve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, kishte një paralajmërim të qartë për vendet e tjera, lidhur me politikën e dpresidentit amerikan, Donald Trump për tarifat dhe kërkesën e këtij të fundit që Kanadaja t’i bashkohet SHBA.

 “Nëse SHBA mund të na bëjë këtë ne, miqtë e saj më të ngushtë, atëherë askush nuk është i sigurt”, Është shprehur kryediplomatja kanadeze.

Gjatë një konference për shtyp, duke folur për hakmarrjen tarifore të Presidentit Donald Trump ndaj vendit, Joly theksoi se Kanadaja po "mban qëndrim të fortë" dhe e përshkroi veprimin e presidentit, si një "luftë të përditshme".

“Ne nuk kemi bërë asgjë për të justifikuar sulmet e Trumpit ndaj vendit tonë, ndaj ekonomisë sonë dhe identitetit tonë,” tha Joly. “Kanada është shoku juaj më i mirë, fqinj më i mirë dhe aleati më i mirë.”

“E vetmja gjë që duket konstante në këtë luftë tregtare të pabazuar është fjalimi i Presidentit Trump për aneksimin e vendit tone, përmes presionit ekonomik,” vazhdoi ajo.

“Ai e quajti kufirin tonë një vijë imagjinare dhe e përsëriti retorikën e tij të parespektuar për shtetin e 51-të. Epo, kanadezët e kanë bërë të qartë se ne nuk do të heqim dorë, dhe nuk do të japim asgjë nën këtë presion.”

Ministrja e Çështjeve të Jashtme vazhdoi të reflektojë mbi historinë e gjatë dhe marrëdhënien midis Amerikës dhe Kanadasë, të cilën e përshkroi si "krenari për botën," dhe i bëri thirrje popullit amerikan të kontaktojë përfaqësuesit e tij të zgjedhur, për të dërguar “një mesazh në Shtëpinë e Bardhë” dhe për të përfunduar këtë përplasje tarifore.

Joly pritet të takojë Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, këtë javë në një takim të G7-ës në Quebec.

Kur gazetarët e pyetën të mërkurën nëse marrëdhëniet SHBA-Kanada do të jenë në rendin e ditës të këtij takimi, Rubio u përgjigj: “Ne do të fokusohemi në të gjitha këto çështje në G7. Ky është qëllimi i takimit.”

“Ky nuk është një takim për të diskutuar, se si do ta pushtojmë Kanadën,” shtoi ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foli pas nënshkrimit të urdhrave ekzekutivë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë më 6 mars 2025, në Uashington, DC.

Presidenti vendosi një tarifë prej 25 përqind për importet e çelikut dhe aluminit nga Kanadaja këtë javë, dhe deri tani duket se po shkon me shpejtësi drejt afatit të tij për tarifat reciproke më 2 prill, ku do të vendoset një tarifë prej 25 përqind për një numër të tjera mallrash nga vendi.

Ai gjithashtu ka përmendur shpesh dëshirën e tij për ta bërë Kanadën shtetin e 51-të.

Në një postim në Truth Social të martën, Trump shkroi: “E vetmja gjë që ka kuptim është që Kanada të bëhet Shteti ynë i Dashur i 51-të.

Kjo do të bëjë që tarifat dhe gjithçka tjetër të zhduken krejtësisht.”

“Vija artificiale e ndarjes, e tërhequr para shumë vitesh do të zhduket më në fund, dhe ne do të kemi Kombin më të sigurt dhe më të bukur kudo në Botë,” vazhdoi presidenti.

“Himni juaj i shkëlqyer, ‘O Kanada,’ do të vazhdojë të luhet, por tani duke përfaqësuar një SHTET TË MADH dhe TË FUQISHËM brenda Kombit më të madh që bota ka parë ndonjëherë!”