"Mund ta bëjë tregun bankar më tërheqës për bankat e BE!" Nis vlerësimi i ekuivalencës së mbikëqyrjes
Banka e Shqipërisë ka nisur në fund të vitit të kaluar procesin e vlerësimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes me Bashkimin Europian (BE). Ky proces kryhet nga Autoriteti Bankar Europian dhe ka si qëllim të certifikojë që kuadri i mbikëqyrjes bankare në Shqipëri është i barazvlefshëm me atë të BE-së.
Qysh pas krizës financiare që nisi në vitin 2008, autoritetet rregullatore të Bashkimit Europian nisën një shtrëngim të kuadrit rregullator për bankat dhe veçanërisht adoptoi një qasje më konservatore në vlerësimin e aktiveve që këto grupe bankare kishin jashtë Eurozonës.
Vlerësimi i aktiveve janë Eurozonës me koeficientë më të lartë rreziku u përkthye në kërkesa më të larta kapitalizimi për grupet dhe ishte një ndër faktorët përcaktues që solli largimin e disa prej grupeve të rëndësishme bankare europiane prej shumë tregjeve të Europës Lindore.
Një tendencë e tillë e largimit të grupeve bankare europiane preku pjesërisht edhe tregun shqiptar. Kuadri rregullator parashikon që aktivet e grupeve bankare të BE në vendet jashtë hapësirës komunitare do të trajtohen në këtë mënyrë, deri në momentin kur për secilin treg së të jetë certifikuar ekuivalenca e plotë e mbikëqyrjes me kuadrin e BE-së.
Për rrjedhojë, njohja dhe ekuivalentimi i kuadrit rregullativ mbikëqyrës siguron avantazhe të përbashkëta jo vetëm për institucionet bankare e financiare që veprojnë në BE, por edhe për institucionet bankare e financiare në vende të tjera jashtë saj. Për Shqipërinë, procesi i certifikimit nisi vetëm në fund të vitit të kaluar megjithëse qysh prej vitit 2022, Banka e Shqipërisë e ka kërkuar një gjë të tillë pranë Komisionit Europian.
Megjithatë, në vitin 2021 Banka e Shqipërisë ka kryer një vlerësimi të pavarur të ekuivalencës së kuadrit mbikëqyrës dhe rregullativ, sipas metodologjisë së publikuar nga Autoriteti Bankar Europian (EBA). Me asistencën teknike të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (EBRD) dhe PricewaterhouseCooper (PwC), u krye një vlerësim i pavarur i kuadrit mbikëqyrës aktual nën një qasje gjithëpërfshirëse, duke u mbështetur në metodologjinë dhe pyetësorin e hartuar nga EBA për këtë qëllim.
Kjo analizë doli në përfundimin se kuadri rregullativ e procedurial, si dhe praktikat mbikëqyrëse, janë në një nivel të lartë ekuivalente (pranë nivelit 85%) dhe të përafruara me standardet e aplikueshme në vendet e BE-së. Ky përafrim vlerësohet veçanërisht i lartë në drejtim të kërkesave për kapital, teknikave të zbutjes të aplikuara, ekspozimeve të mëdha, të likuiditetit, levës financiare, të mbikëqyrjes makro-prudenciale, sekretit profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Certifikimi i ekuivalencës së mbikëqyrjes në teori mund ta bëjë më tërheqës tregun shqiptar për investime të reja nga grupet bankare të Eurozonës, por mund të ndikojë pozitivisht edhe strategjitë e biznesit të grupeve bankare ekzistuese në treg. / Monitor
