Nuk ka më 'Magic Mike'... Një vit më parë ishte në shënjestër të Bayernit, tani rrezikon rinovimin

Çështja e rinovimit për Mike Maignan po zgjat shumë. Një vit më parë, portieri kishte refuzuar ofertën e Milanit, i cili kishte ndërmend ta rriste pagën e tij nga 2.8 milionë eurot aktuale në shifra që do ta bënin atë lojtarin kuqezi me pagë të lartë, rreth 5 milionë euro, me bonuset.

Përgjigja e tij ishte refuzuese, sepse po jepte rendiment të nivelit të një kampioni. Për pasojë, kërkesa e francezit ishte për një pagë afër 8 milionë euro në vit neto. Po ashtu, ka pasur një interesim nga Bayern Munich për ta marrë atë, pas mbylljes së eopkës së Neuer.

Milani kishte hezituar, sepse plotësimi i një kërkesë të tillë (8 milionë euro në sezon) do të thoshte të lidhej përfundimisht me Maignan për vitet e ardhshme, pa mundësinë për ta shitur atë. Një pagë shumë e lartë e tij do t’i largonte klubet e mëdha, të cilat do të duhej t’ia rrisnin edhe më shumë pagën për të siguruar “po” e portierit transalpin.

Siç ndodhi me Vlahovic, pasi kushdo që e kërkon serbin te Juventusi duhet të pranojë një pagë të tij prej 12 milionë eurosh. Tani, megjithatë, arrihet në një tjetër kryqëzim. Ndonëse është e vërtetë që Maignan i ka ulur kërkesat, nga ana tjetër ka disa paqartësi mbi performancën e tij në muajt e fundit.

Pra, me një ofertë të mirë, ai mund të largohet, duke pasur parasysh se mbush 30 vjeç më 3 korrik. Kjo lëvizje mund të shërbejë për të rinovuar skuadrën dhe ndoshta synuar një profil më të ri portieri, rreth 25 vjeç. Nga ana tjetër, siç u pa me Donnarumma, nuk ka shumë portierë të pazëvendësueshëm në rol ditët e sotme.