VIDEO/ Vëzhgim: MESDITË E TË PREMTES NË TIRANË…

Udhët e qytetit tim do të duhej të ishin udhët e qytetarit. Në to do të duhej të rendte jeta e përditshme e qytetit, sipas kodeve që njeriu i ka përcaktuar sipas një rendi ku rregulli, estetika, pastërtia, levizja, duhet të jenë në shërbim të tij.

Mirëpo Tirana është ndryshe.

Makina gjithëfarësh që shkojnë kryq e tërthorë. Drejtues të tyre që argëtohen duke u rënë borive edhe pse Kodi Rrugor e ndalon përdorimin e tyre në qytet.

Qytetarë që rendin kuturu pa pyetur për makinat e që shpesh herë u presin udhët pa menduar në ka apo jo vija të bardha për kalimtarët.

Motorë që uturijnë çmendurisht a thua se duan të venë në provë nervat e qytetarëve.

Biçikleta që edhe pse kanë pjesë të dedikuara në rrugë, më shpesh i ndesh nëpër trotuare.

Ja, kjo është pamja e një dite të zakonshme në Tiranë. Dhe e tillë është gjithkund, në çdo pjesë të saj. Edhe në bllok, edhe tek Sheshi Willson, edhe tek Medreseja. Edhe… edhe …

Nëse do të duhej përcaktuar me një fjalë, ajo është rrëmujë.

Dhe si për ta bërë më të plotë peizazhin e një mesdite të premte në Tiranë, mendon njësia e pastrimit të qytetit.

Makinat që mbledhin mbetjet urbane, dalin pothuaj të gjitha në të njejtën orë. E zgjedhin orët e pikut të trafikut.

Aroma e rëndë e mbetjeve, zhurma e kazanëve që derdhen e trafiku i bllokuar prej tyre edhe më shumë nga sa është i rënduar zakonisht, janë preludi i një fundjave kryeqytetase.

Po, vijnë edhe turistë. Por pamje të tilla denoncojnë papërgjegjshmërinë e shërbimit ndaj qytetarëve.