Dy vila luksoze tek Gjiri i Lalzit, 8 shtëpi e 6 garazhe/ SPAK sekuestron pasurinë e Mendim Domit dhe Jusel Micit
Mendim Domi dhe Jusel Mici, dy emrat kryesorë të vjedhjes përmes mashtrimit të gati 15 milion eurove nga qytetarët e Bashkimit Europian, janë vënë në hetim pasuror nga prokuroria e posaçme SPAK.
Bëhet fjalë për 31 pasuri të sekuestruara dy personave të mësipërm, me argumentin se ato rrjedhin nga aktiviteti kriminal që kanë pasur në mashtrim masiv që ka shkaktuar vjedhjen e 15 milion eurove nga llogaritë bankare të qindra qytetarëve Europianë.
Që prej 1 jave 8 apartamente, dy vila luksoze në rezidencën “Lalzi Marinë Seaside” dhe “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit, janë sekuestruar tashmë.
Ndërkohë nën sekuestro janë vënë 6 garazhe, 3 llogari bankare, shoqëria tregtare “Super Foods”, 7 toka arë, dy automjete dhe disa dyqane.
Në total janë 31 pasuri të llojeve të ndryshme që SPAK pretendon se i përkasin dy emrave të njohur të mashtrimit përmes Call-Centerave, Mendim Domi dhe Jusel Mici.
Mendim Domi dhe Jusel Mici janë pjesë e një grupi kriminal i denoncuar në muajin Dhjetor 2022 nga “Ora News”, ku së bashku me persona të tjerë kanë përfituar një shumë mbi 15 milion euro përmes skemës së mashtrimit me call-centera.
Fillimisht Domi është zbuluar dhe më pas shpallur në kërkim nga prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj. Më tej ky i fundit shpalli moskompetencën, duke ia kaluar dosjen hetimore SPAK, dhe se aktualisht hetimet po drejtohen nga prokurori, Ened Nakuçi.
Kjo pasi emri i Mendim Domit, nuk ka dalë vetëm në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës, por edhe në një çështje penale tjetër që është duke u ndjekur nga prokurori i posaçëm i SPAK, Ened Nakuçi.
Ndaj për shkak të dy hetimeve paralele, SPAK ka tërhequr aktet hetimore nga prokuroria e Tiranës, për pjesën e Mendim Domit dhe shtetasit tjetër të arrestuar Jusel Mici, bashkëpunëtor i Domit.
Në dosjen hetimore thuhet se Domi është pronar i kompanisë “Mone Advertising” e regjitruar në datën 3 shkurt 2022.
Ndërkohë ai zotëron dhe një zinxhir tjetër kompanish, si “Mendim Domi” në fushën e telefonisë, “Mendim Domi” në fushën e ndërtimit, “N.M-09” në fushën e tregtisë së mallrave ushqimore, të cilën Mendim Domi e ka blerë në 26 qershor 2021 për vetëm 1 milion lekë të vjetra nga shtetasi Kastriot Xhani.
Njëherësh në emër të Mendim Domit ndodhet dhe kompania “Super Foods” e themeluar në janar 2020, ku Domi, rezulton të ketë 40 për qind të aksioneve, Jusel Mici 20 për qind dhe Gerald Lamaj është zotërues i 40 për qind të aksioneve.
Ndërsa sipas prokurorisë, kompania “Vibemedia” që dikur ishte themluar nga Mendim Domi dhe Jusel Mici, është shitur në 29 gusht 2018 për 100 mijë lekë të vjetra tek shtetasi Italian, Maurizio Giacalone.


