Kina rrit 7,2% buxhetin për ushtrinë

Kina planifikon të shpenzojë 7,2% më shumë për ushtrinë e saj këtë vit, sipas projektbuxhetit të paraqitur në Kongresin Kombëtar të Popullit sot, me Pekinin që njoftoi gjithashtu se objektivi i rritjes ekonomike të vitit do të jetë sërish 5%.

Rritja e buxhetit për mbrojtjen në 1,78 trilionë juanë (rreth 245 miliardë dollarë) u zbulua në hapjen e kongresit në Pekin.

Qeveria e kishte rritur buxhetin e saj ushtarak me të njëjtën përqindje edhe vitin e kaluar.

Kina ka buxhetin e dytë më të madh të mbrojtjes në botë, pas Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Xi Jinping ka nxitur një modernizim të plotë të ushtrisë që nga marrja e detyrës në vitin 2013, me synimin për të krijuar një ushtri “të klasit botëror” deri në vitin 2049, për të mbrojtur interesat e saj thelbësore.

Vendimi i Pekinit për të rritur shpenzimet për mbrojtjen vjen pas tensioneve me Tajvanin dhe pretendimet territoriale të Kinës mbi Detin e Kinës Jugore.

Pekini e konsideron ishullin demokratik në Paqësor si pjesë të territorit të tij, por Tajvani ka pasur një qeveri të pavarur që nga viti 1949.

Xi e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ai nuk dëshiron ta shtyjë bashkimin për një kohë të pacaktuar dhe do ta bënte me forcë nëse është e nevojshme.

Së fundmi, Pekini rriti presionin ushtarak mbi Tajvanin me manovra detare në brigjet e tij. Avionët luftarakë kinezë gjithashtu hyjnë vazhdimisht në hapësirën ajrore të Tajvanit.

Forcat kineze gjithashtu përplasen rregullisht me Filipinet për pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Manovrat e fundit ushtarake kineze në ujërat ndërkombëtare pranë Australisë dhe Zelandës së Re, kanë shkaktuar shqetësim në rajon.

Në fillim të Kongresit Kombëtar të Popullit, qeveria kineze njoftoi se objektivin i rritjes ekonomike do të jetë rreth 5% për të tretin vit radhazi.

Objektivi konsiderohet ambicioz duke pasur parasysh mosmarrëveshjet aktuale të Pekinit me partnerët tregtarë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shifrat e ulëta të konsumit brenda vendit.

Takimi vjetor i këtij viti i parlamentit të pazgjedhur, me rreth 3 000 delegatë, është planifikuar të zgjasë shtatë ditë.

Pas hapjes, delegatët pritet të diskutojnë raporte të tjera, të cilat do të votohen në ditën e fundit të seancës.

Ministrat priten të bëjnë deklarata për tema të ndryshme në konferenca për shtyp, duke përfshirë diplomacinë kineze.

Ekspertët nuk presin surpriza të mëdha në kongresin e këtij viti.

Pekini ka të ngjarë t’i përmbahet vazhdimësisë në politikat e tij.