Trokitja në derën e vdekjes, një skulpturë nga xhenovezi Giovanni Battista Cevasco
"Trokitja në derën e vdekjes" (Bussando alla porta dell'eternità), një kryevepër e realizuar nga Giovanni Battista Cevasco. Ajo ndodhet në Varrezat Monumentale të Staglieno-s, në Xhenovë, Itali.
Në këtë vepër arti prekëse të krijuar në vitin 1875 nga xhenovezi i artit natyralist, Giovanni Battista Cevasco, përcillet një e ve që është duke trokitur drojshëm në derën e vdekjes.
Shprehja e saj delikate dhe qëndrimi i përkulur reflektojnë një ndjenjë përulësie dhe pritjeje, duke përfaqësuar shpirtin që kërkon të hyjë në përjetësi.
Gruaja me njërën dorë troket, ndërsa në tjetrën ajo mban një kurorë fitoreje. Kurora simbolizon triumfin mbi vdekjen, duke përfaqësuar ringjalljen dhe përtëritjen.
Dera e rëndë simbolizon kufirin mes jetës dhe vdekjes, ndërsa veshja e detajuar dhe qëndrimi dramatik i gruas theksojnë ndjesinë e një udhëtimi shpirtëror.
Kjo skulpturë është një nga më të bukurat dhe më prekëset në Staglieno, një varrezë e njohur për monumentet e saj artistike të periudhës së realizmit dhe simbolizmit funerary. Mesazhi që ajo përcjell është universal: një reflektim mbi jetën, vdekjen dhe kalimin në një ekzistencë tjetër.
Trokitja në derën e vdekjes, përcjell në vetvete gjithashtu një gjëndje makthi dhe frike, zhgënjimi dhe disfatizmi. Logjika racionale e drithëron perceptimin, por mesazhi alegorik e thellon përjetimin dhe mendimit i jep dimension shqyrtues.
E veja në skulpturë identifikohet si gruaja e Pietro Badaracco, një person i pasur, siç tregohet nga veshja e saj. Mbi derë përshkruhen simbole të ndryshme, duke përfshirë një busull, një spirancë, libra, një glob dhe një timon anijeje, duke aluduar në profesionin e të ndjerit si kapiten i një anijeje ose flota detare. Vetë trokitësi i derës mban një orë rëre me krahë, që simbolizon natyrën kalimtare të kohës.
Giovanni Battista Cevasco (Xhenova, 1817– Genova, 12 janar 1891) ishte një skulptor italian eksponent i shkollës natyraliste, aktiv mbi të gjitha në qytetin e tij të lindjes, autor i monumenteve publike, statujave dhe busteve të njerëzve të shquar dhe monumenteve funerale.


