Shën Pjetri i Vermiglios, lutja përgjëruese dhe prehja e përkor, blatuar besimit

Shën Pjetri, pikturë e mjeshtrit italian të penelit, Giuseppe Vermiglio (1585 - 1635), kjo punë përfaqëson jo vetëm shkollën e Caravaggios, së cilës ai iu bashkëngjit, por edhe përsosmërisë së teknikës së bojrave të vajit, e cila e vendos atë ndër më të mirët e kohës së tij.

Duart e mbërthyera të Shën Pjetrit në një lutje përgjëruese plot tension dhe peshë emocionale, një shprehje që drithëron shpirtin dhe ngjall thellësinë e pendesës.

Vështrimi i thellë dhe shpues, sytë të mbushur me lot dhe një përulësi e denjë për një shenjtor gërshetohen të gjitha në këtë kryevepër.

Por ka diçka më shumë se kaq, diçka që tejkalon kufirin e thjeshtësisë së një paraqitjeje ikonografike. Drita, kjo frymë e shenjtë që vërshon mbi të, është drita e shpresës, e faljes dhe e dashurisë hyjnore.

Chiaroscuro-ja, loja mjeshtërore e hijes dhe ndriçimit, është një himn vizual që e përthyen realitetin në një mistikë pothuaj biblike. Ngjyra e artë e mantelit nuk është thjesht një zgjedhje estetike; ajo është reflektim i një shpirti të shenjtë, që rrezaton dritën e mirësisë hyjnore. Bluja e përkorë, e përthyer në jakën e rrobës, është një shenjë e përulësisë, e atij dorëzimi të plotë që e përmbush misionin e tij apostolik.

Kjo prehje e përvujtur është blatimi i një besimi, forca e së cilës e ngre vullnetin e një shenjtori në lartësitë e epërme të lutjes për falje. Të gjithë piktorët që kanë sjellë Shën Pjetrin, e kanë përcjellë solemnitetin e tij me atributin e lartë të shenjtorit, por ky realizim i Giuseppe Vermiglio e shtyn atë në atë eter, aq pranë Tij, aq pranë sa ta ndjejmë brenda vetes pendesën dhe përbetimin e një misionari.

Në këtë portret, Shën Pjetri nuk është vetëm një figurë biblike, por një shpirt i trazuar, një shenjtor që kërkon falje me gjithë qenien e tij. Sikurse jeni në dijeni, ai ishte një nga dymbëdhjetë apostujt e Jezusit të Nazaretit qysh nga fillimi i predikimeve të tij. Ai ishte gjithashtu Papa i parë i Kishës Katolike, por mbi të gjitha, një dëshmi e pavdekshme e fuqisë së pendesës dhe bekimit hyjnor.