Mandarinat me pesticide/ Vuksani: Jo faji i fermerit. Mungon procesverbali i groposjes, ministrja të japë dorëheqjen!

Profesori Gjok Vuksani tha në “Mcn Economy” se ministrja e Bujqësisë duhet të japë dorëheqjen, lidhur me mandarinat me pesticide që janë rihedhur në treg, duke theksuar se nuk është faji i fermerëve.

Vuksani vë në dukje se mungon një procesverbal i asgjësimit të produktit. 

Gjok Vuksani: "Më vjen keq ta pohoj se më 20 dhjetor unë kam paralajmëruar në një intervistë se këto mandarina janë rifutur në treg. Derisa s’ka një procedurë…

Që të bëhet një eliminim i produktit duhet të jenë disa institucione. Në radhë të parë është AKU, AKVMB, Drejtoria e Tatimeve, dhe duhet të jetë edhe Agjencia e Mjedisit. Ka një vend të posaçëm ku bëhet groposja dhe duhet bërë një procesverbal.

Që në dhjetor kam thënë ku është procesverbali. Ministrja ka thënë që i ka groposuar fermeri, që është e paligjshme, e palejueshme. Unë mendoj që sot ministrja e Bujqësisë duhet të japë dorëheqjen.

Deklarata politike publike e saj e ngarkon me përgjegjësi sepse s’e ka menaxhuar situatën. Ka ngarkesa të tjera me bimë medicinale, perime, duhet të verfikohen se ku kanë shkuar. Janë 13 ngarkesa gjatë 2024-ës. Nuk është faji i fermerit.

Është faji i strukturave shtetërore. Kush e ka futur atë pesticid?! Ne kemi një ligj të dytë që u jep afat disa PNB-je, edhe pse janë nxjerrë jashtë përdorimit në BE! Në momentin që del jashtë shtetit është i palejueshëm. Duhet që institucionet të bëjnë detyrën!”