VIDEO/ Rama dëgjesë publike me rektorin Sallaku, Qytetarët në protestë te Kryesia e Kuvendit: Dje mbrojti Erionin, sot mbron korrupsionin!

Paralelisht me dëgjesën e rektorit të Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku me grupin parlamentar të PS, jashtë ambienteve të kryesisë së Kuvendit ku dhe mbahet dëgjesa, një grup qytetarësh po protestojnë kundër këtij show politik të radhës së kryeministrit.

Me pankarta në duar dhe me një banderolë kushtuar qasjes së Ramës në standardet që vendos për hetimet që bën SPAK, qytetarët thonë se kryeministri Rama është i njëjti që dje mbrojti një kryebashkiak të inkriminuar si ai i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sot po bën të njëjtën gjë duke mbrojtur korrupsionin.

Rasti i rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, është rasti i dytë i dëgjesës publike që Rama bën, në një kohë kur SPAK heton prej dy vitesh korrupsionin në Universitetin Bujqësor, ndërsa më herët dëgjesën e ka pasur me Kryetaren e Komisionit të Ligjeve dhe ligjvënësen e PS, Klotilda Bushka, edhe kjo nën hetim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve të nisura për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.