VIDEO/ Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi paraqitet në SPAK

Elvis Roshi ka qëndruar për pak minuta brenda Prokurorisë së Posaçme ku është nën hetim për abuzime me tendera.

Sipas burimeve nga SPAK, Roshi ishte sot për disa veprime hetimore.

Të njëjtin fakt e shprehu edhe vetë ish-kryetari i Bashkisë Kavajë, e po ashtu dhe mbrojtësi ligjor i tij.

Më hërët, Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK-un që të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshin për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Hetimet u iniciuan nga një kallëzim i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe fillimisht u ndoqën nga Prokuroria e Durrësit që vendosi pushimin e tyre dhe delegim të dosjes në Gjykatën e Posaçme për shkak të moskompetencës.

Sipas gjetjeve të KLSH-së, bëhet fjalë për dy procedura tenderimi në vitet 2013-2014, në kohën që bashkia e Kavajës drejtohej nga Elvis Roshi.

Hetimet u kryen për dy tendera abuziv me një dëm të përllogaritur prej 33 milionë lekësh.

Elvis Roshi u dorëhoq nga detyra pas ligjit të dekriminalizimit.

Ai drejtoi Bashkinë e Kavajë në vitet 2011-2016, ndërsa në janar të vitit 2023 u mor në pyetje në SPAK.