Shtyhet seanca në Gjykatën e Posaçme për Bajrët dhe Astmer Bilalin

Seanca për Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin për marrjen në pyetje dhe vlerësimin e masave të sigurisë, nis me shtyrje. Seanca u shty për një orar të pacaktuar, pasi gjykata do të marrë kohë të përgatitet për zhvillimin e gjyqit.

Bajri, Bilali e Brajoviç akuzohen për "vrasje me paramendim", "grup kriminal" dhe "kryerje veprash nga organizata kriminale" në dëm të Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018.

Kujtojmë se Safet Bajri u arrestua pak ditë më parë pranë banesës së tij në Dobraç të Shkodrës dhe u soll në kryeqytet.

Kujtojmë se Bajri figuronte edhe në bisedat e zbërthyera në aplikacionet Sky Ecc dhe Encrochat, ku flitej për krime të rënda, përfshi plane për vrasje.

Seanca për Bajrin dhe dy të tjerët u ndërpre për arsye procedurale. Gjyqtarja Irena Gjoka do të verifikonte, si gjyqtare e gatshme, masën e dhënë në mungesë nga  gjyqtarja Etleva Deda, për shkak se kjo e fundit ndodhej jashtë vendit.

Por, mëngjesin e sotëm gjyqtarja Deda është paraqitur në punë dhe tashmë do të konsumohet procedura e rikalimit të akteve të dosjes në duart e saj.