SHBA/ Të shtëna në një spital në Pensilvani
Një oficer policie u vra të shtunën pasi iu përgjigj të shtënave në një spital qendror të Pensilvanisë, ku u vra edhe i armatosuri i dyshuar, thanë zyrtarët.
Oficeri që vdiq në të shtënat në spitalin UPMC Memorial në York u identifikua si Andreë Duarte i Departamentit të Policisë së West York Borough. Ai po i përgjigjej një thirrjeje për ndihmë të ndërsjellë, postoi departamenti në faqen e tij në Facebook.
"Ne të gjithë kemi zemra të thyera dhe jemi të pikëlluar për humbjen e tij," tha për Associated Press, menaxheri i bashkisë së West York, Shawn Mauck.
Zyrtarët në UPMC Memorial në York thanë se edhe i armatosuri u vra, por asnjë pacient nuk u plagos.
Forcat e rendit janë në ambientet dhe po menaxhojnë situatën, tha Susan Manko, nënkryetare e marrëdhënieve me publikun për UPMC, në një deklaratë të dërguar me email.
Spitali u kërkoi punonjësve që nuk ishin planifikuar të punonin të shtunën të qëndronin në shtëpi. Familjet e pacientëve që mbërrijnë në vend, duhet të raportojnë në parkingun e ndërtesës së OSS përballë spitalit, tha Manko.
Guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro tha se ai është rrugës për në spital pasi u informua për të shtënat. Ai tha se spitali është "i sigurt".
Të shtënat janë pjesë e një vale dhune me armë në vitet e fundit që ka përfshirë spitalet dhe qendrat mjekësore amerikane, të cilat kanë luftuar për t'u përshtatur me kërcënimet në rritje.
Sulme të tilla kanë bërë që kujdesi shëndetësor të bëhet një nga fushat më të dhunshme të vendit, me punëtorët që vuajnë më shumë lendime jofatale nga dhuna në vendin e punës, sesa punëtorët në çdo profesion tjetër, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Në vitin 2023, një sulmues vrau një roje sigurie në hollin e spitalit psikiatrik shtetëror të Neë Hampshire, përpara se të qëllohej për vdekje nga një ushtarak shtetëror.
Në vitin 2022, një burrë vrau dy punëtore në një spital në Dallas, ndërsa ishte atje për të parë lindjen e fëmijës së tij.
Në maj të atij viti, një burrë hapi zjarr në një dhomë pritjeje të qendrës mjekësore në Atlanta, duke vrarë një grua dhe duke plagosur katër.
Dhe vetëm një muaj më vonë, një person i armatosur, vrau kirurgun dhe tre persona të tjerë në një zyrë mjekësore në Tulsa, Oklahoma, sepse ai fajësoi mjekun për dhimbjen e tij të vazhdueshme pas një operacioni.
