Berisha me shqiptarët e Parmës: Në këto 2 javë u dridhën themelet e narkoshtetit. Rama, rreziku më i madh kombëtar
Kryedemokrati Sali Berisha, në takimin me shqiptarët në Parma e ka cilësuar kryeministrin Rama si rrezikun më të madh kombëtarë dhe si Çubrilloviçi shqipfolës.
“Në takimin tim në Romë, unë u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët. Se Edi Rama është Çubrilloviçi shqipfolës. Se Edi Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së, më tej shtoi se me këto takime dhe entuziazëm çdo qytetar po bindet se PD po kthehet fuqishëm për të mirën e mbarë shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Berisha: Të dashur bashkëatdhetare e bashkëatdhetarë.
Të nderuar drejtues të PD të Shqipërisë, të Parmës, të Romës.
I nderuar zoti nënkryetar i Bashkisë së Parmës, mik i shqiptarëve.
I dashur zoti Shpend Ndreu.
Zonja e zotërinj, mirënjohjen time më të pakufishme, përshëndetjet më miqësore për këtë pritje të zjarrtë, për ju në këtë sallë, për ata qëjanë jashtë, për shqiptarët në Itali, për miqtë tuaj italianë kudo që ndodhen sot.
Faleminderit shumë për këtë pritje të zjarrtë.
Me këtë rast shpreh një mirënjohje të pakufishme për kombin e madh italian, një komb që është provuar mik i vjetër, mik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
Historia e miqësisë mes vendeve tona është frymëzuese dhe e rrallë.
Ajo daton 500 vite më parë me pritjen në Itali të arbëreshëve dhe vazhdon pa rreshtur.
Sot ju jeni farkëtuesit e miqësisë, e bashkëpunimit, e afrimit të dy kombeve dhe dy vendeve tona, jeni ambasadorë të shkëlqyer të kombit shqiptar në Shqipëri.
Sot ne kujtojmë të gjithë kur shqiptarët e sapoçliruar nga nata e zezë e gjatë e diktaturës staliniste, u dyndën, vërshuan drejt këtij vendi.
Por edhe në ato kohëra, kur ekzistonin paragjykime, ekzistonin stereotipe për një popull refugjatësh, përsëri miq të shquar, burra të shquar të këtij kombi, italiani i shquar Xhorxhio Napolitano, italiani i madh Silvio Berluskoni, qindra e mijëra qytetarë fisnikë italianë qëndruan në anën tuaj, iu dhanë krahë, iu dhanë mbështetje dhe ndërtuat në këtë vend jetën dhe të ardhmen tuaj.
Zoti e bekoftë kombin italian, zoti e bekoftë Italinë.
Sot është krenari e madhe të shohësh këtë miqësi midis kombeve dhe vendeve tona, prandaj dhe kam një falënderim, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjithë shqiptarëve në këtë gadishull, të cilët erdhën refugjatë në mënyra nga më të ndryshmet, por në këtë tokë dhe në këtë vend u shndërruan dhe u provuan si qytetarë të ndershëm, punëtorë, të aftë, të zotë.
U shkolluan inxhinierë, mjekë, shkencëtarë, akademikë, studentë, artistë, piktorë, këngëtarë, krenari e Shqipërisë, por edhe krenari e Italisë.
Ju keni nderuar familjet, keni nderuar kombin dhe flamurin tuaj.
Miq, ky është takimi im i dytë me diasporën, të parin e zhvillova në Romë, të dytin në Parma.
Por këto takime provohen të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Këto takime po firmosin shpëtimin e Shqipërisë.
Po firmosin përmbysjen e narkoshtetit.
Kjo sepse jo vetëm se vota juaj është sot më e çmuar se kurrë në historinë e Shqipërisë, por sepse optimizmi, entuziazmi, energjia e këtyre takimeve e paparë që nga viti 1990 po çon peshë zemrat e shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë.
Të dashur miq, këto takime, ky entuziazëm, kjo energji po bind çdo qytetar se ne po kthehemi fuqishëm për të mirën e mbarë shqiptarëve, për të mirën e Shqipërisë, të miqve të saj.
Vetëm dy javë kanë kaluar nga takimi në Romë.
Dy javë me zhvillime sa dy apo pesë vite.
Me zhvillime të mëdha që kanë dridhur themelet e narkoshtetit, që po fusin narkoshtetin në vdekje klinike, në koma.
Po, miqtë e mi.
Në takimin tim në Romë, unë u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët.
Se Edi Rama është Çubrilloviçi shqipfolës.
Se Edi Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Të dashur miq, vetëm 5 ditë nga ai takim, në Mynih, zëvendëspresidenti i SHBA, do ia plaste në fytyrë tiranit, do i thoshte Europës se problemi ynë është persekutimi, arrestimi i liderëve të opozitës.
Përpjekja për të marrë mandate duke arrestuar liderë të opozitës.
Censura.
A kishte në atë sallë ndonjë lider, i cili kishte arrestuar tre liderë të opozitës si Edi Rama? Asnjë tjetër, asnjë të vetëm.
A kishte në sallë njeri që kishte marrë vendim për të censuruar mjetin më të fuqishëm të komunikimit të kohës, TikTokun? Vetëm se rinia shqiptare nuk i ndahej me TikTokun nga mëngjesi gjer në darkë kundër tij.
A kishte në sallë ndonjë lider që kishte futur në dorë të gjitha mediat kryesore dhe i kishte shndërruar si organe të zyrës së tij? Jo, asnjë.
Miq, në Mynih, Edi Ramës, zëvendëspresidenti i vendit më të fuqishëm të botës, i tha ato të cilat ne ia deklaronim çdo ditë dhe çdo javë.
Po pse kjo ngjashmëri?
E bëri ai i nxitur nga ne? Jo, u them unë, jo.
Ka një shkak tjetër më të thellë.
Sepse opozita në vendin e madh, në atë vend, pësoi nga i njëjti armik, të njëjtat probleme, të njëjtat represione, të njëjtat censurë, të njëjtat akuza, siç pësoi opozita në Shqipëri.
Kjo ishte arsyeja pse zëvendëspresidenti JD Vance shpalli armik më të rrezikshëm për Europën, se rusi dhe kinezët, atë që arreston liderët e opozitës për të marrë mandatet. Atë që censuron mediat sociale. Atë që kontrollon mediat dhe arreston gazetarët.
Ky ishte një kushtrim për shqiptarët kudo që janë. Për njerëzit e lirë kudo që janë.
Miq, jo vetëm kaq. Në këto dy javë kishte një zhvillim tjetër të madh.
Të nesërmen e largimit tim nga Roma, para shqiptarëve u paraqita me kryestrategun, me kryemagjistarin, bashkëkryemagjistarin e fushatës elektorale të presidentit Donald Trump, Chris LaCivita.
Shkallmoi Edi Rama, u tmerrua, e pa me sy humbjen, fatalitetin e tij.
Dhe menjëherë, me mediat e tij, deklaroi se Chris LaCivita u ble nga Berisha.
Po, po të ishte puna për të blerë, po ai e ngatërroi Chris LaCivita me McGonigalin.
Po prisni se kam një lajm për ju sot.
Një gazetar i madh italian shkruante sot, e kam të paqartë marrëveshjen Rama-McGonigal sepse drejtësia e Biden e mbajti të fshehtë, një marrëveshje në të cilën ai mori një ryshfet 225 mijë.
Po ajo marrëveshje ishte e tëra në kurriz të opozitës. Ishte marrëveshja për të shkatërruar opozitën në Shqipëri.
Por kësaj radhe, postimi i këtij gazetari nuk mbeti në vesh të shurdhër.
Kryetari i komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita e bëri share dhe u shpërnda në të gjithë elitën drejtuese të SHBA.
Edi Rama, ja ku po të them nga Parma se hija e McGonigalit do të ndjekë gjer në ditën e fundit të jetës.
Je i pashpresë!
