VIDEO/ Rama inspekton punimet në Rrugën e Komanit: Aks i rëndësishëm që lidh dy hidrocentralet dhe nxit turizmin

Kryeministri, Edi Rama ka inspektuar punimet në kantierin e Rrugës së Komanit, një aks i rëndësishëm 31 km që lidh dy hidrocentralet.

Ky aks pritet t’i japë një hov të ri turizmit të kësaj zone.

“Është rrugë e ndërtuar në vitin 80, është 31 kilometra. Është rrugë teknologjike e quajmë ne, që lidh dy hidrocentralet dhe situata e sotme sigurisht krijon probleme shumë të mëdha përsa i përket situatës energjetike midis dy hidrocentraleve.

Ne kemi emergjenca të ndryshme, kemi lëvizje të stafeve nga një hidrocentral tek tjetri, ndaj kjo është arsyeja pse rruga futet në rikonstruksion dhe futet nga Korporata Elekro-energjetike Shqiptare për arsye të operimeve që kemi në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atë të Komanit.

Është një rrugë e amortizuar dhe pas një analize të thellë duke nisur nga viti 2020, por duke pritur edhe shëndoshjen e financave të Korporatës Elektro-energjetike, kemi arritur në rezultatin që kjo rrugë duhet rikonstruktuar. Sigurisht Korporata Elektro-energjetike Shqiptare është një nga kompanitë shqiptare që e ka përgjegjësinë sociale koorporative shumë të zhvilluar dhe aty ku operon nuk merret vetëm me produktin kryesor, pra me prodhimin e energjisë, por sigurisht merr masat edhe për sigurinë e punonjësve edhe për operime më të shpejta, por mbi të gjitha edhe për t’i shërbyer komunitetit.

Kështu që kryeministër me ndërtimin e kësaj rruge që është rikonstruksion, por i thellësishëm ne arrijmë që të dorëzojmë një rrugë kualitative për sa i përket aspektit të saj teknik, por i ofrojmë dhe komunitetit një rrugë, e cila do të ndihmojë në rritjen e të gjithë pjesës së turizmit në këtë zonë, duke qenë se vitet e fundit vetë Koorporata Elektro-energjetike ka identifikuar se numri i turistëve si në digën e Komanit, ashtu dhe në të gjithë liqenin është shumë i lartë. Me përmbylljen e këtij rikonstruksioni prej 31 km të rrugës do të përfitojë gjithë komuniteti”, shpjegoi Zv/Kryeministrja Balluku.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se rruga e re do t’i japë një hov të ri turizmit të zonës.

“Kjo rruga që e kishit merak, do të bëhet dhe do t’i japë shumë siguri dhe shumë qëndrueshmëri gjithë punës që bëhet këtu nga dy strukturat e hidrocentraleve, por do t’i japë dhe shumë hov turizmit. Ne çfarë themi e bëjmë, por problemi është se duhet durim. Jo të gjitha bëhen menjëherë, por tani kësaj i erdhi radha dhe do ta bëjmë dhe rëndësi ka ta bëjmë shkëlqyeshëm” – u shpreh ai.