Ministri francez paralajmëron për rrezikun e lëshimeve ndaj Rusisë në bisedimet e paqes

Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu ka paralajmëruar për rrezikun e lëshimeve ndaj Rusisë në negociatat e planifikuara për luftën në Ukrainë.

“Nëse paqja nuk arrihet me forcë, kjo mund të çojë në një situatë dramatike dhe, në afat të gjatë, edhe në një përshkallëzim të konfliktit”, tha sot Lecornu në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, në Bruksel.

“Paqja përmes dobësisë mund të dërgojë gjithashtu një mesazh katastrofik për Korenë e Veriut, Iranin apo edhe Kinën”, shtoi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje se do të bisedonte me Putinin për t’i dhënë fund luftës së Moskës kundër Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, administrata e tij parashtroi publikisht – për herë të parë  – marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës – duke deklaruar se Ukraina duhet të heqë dorë nga aspiratat e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe për të rimarrë territoret që i ka humbur Rusisë që nga viti 2014.

Qeveria amerikane e bëri të qartë gjithashtu se ushtarët amerikanë nuk do të ishin pjesë e një force të mundshme paqeruajtëse.

Lecornu tha se qasja e qeverisë amerikane ngre pyetje në lidhje me të ardhmen e NATO-s.

“Ata thonë se NATO është aleanca ushtarake më e rëndësishme dhe më e fuqishme në histori. Kjo është e vërtetë nga një këndvështrim historik. Megjithatë, pyetja e vërtetë është nëse kjo do të jetë ende kështu pas 10 apo 15 vjetësh”, tha ai.