Protesta para Kryeministrisë/ Mbi 1200 forca policie, maska kundragaz dhe autobotë uji. Gati edhe FNSH e RENEA

Partia Demokratike pritet të zhvillojë pasditen e sotme protestë para kryeministrisë. Detaje të reja janë zbardhur lidhur me masat e marra nga policia lidhur me protestën. 

Mbi 1200 forca policore do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Garda e Republikës po ashtu do të jetë e gjitha në gatishmëri. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. 5 autobotë me ujë janë vendosur po ashtu në zonë. 

Më herët u bë me dije se porta hyrëse në Kryeministri është “blinduar” me veshje metalike, ndërsa janë vendosur kamera sigurie në shtylla. Siç shihet edhe në pamje policia ka vendosur gjithashtu edhe megafonë.

Ndërkohë po montohet podiumi ku do të mbajnë fjalën përfaqësues dhe simpatizantë të PD-së. Tubimi i thirrur nga opozita pritet të nisë në orën 17:00 dhe do të zgjasë deri në 20:00.