Gimenez rrëfen gjithçka te Milani: Ja si Jezu Krishti bëri mrekulli me mua, modeli që më frymëzon është Kakà

Santiago Gimenez ka dhënë një intervistë të gjatë për kanalet zyrtare të Milanit, ku ka folur për karrierën e tij, fëmijërinë, pasionin për kuqezinjtë dhe marrëdhënien me fenë.

Sulmuesi meksikan e ka bërë të qartë se Milani ishte gjithmonë një nga klubet e tij të preferuara: "Që i vogël e kam ndjekur Milanin, ishte një nga skuadrat që më magjepste. Shihja Kakà, Beckham, Ronaldinho, Ronaldo, Pirlo, Gattuso…, atë brez lojtarësh që pushtuan botën e futbollit. Kur erdhi thirrja e Milanit, thashë me vete: Ua, kjo është mundësia ime dhe nuk dua ta humbas".

Meksikani tregoi se një takim me Kakà e bëri të kuptonte që destinacioni i tij i vërtetë ishte Milani: "Kakà ka qenë gjithmonë një model për mua, jo vetëm në futboll, por edhe për besimin që ndajmë. Ai më ka motivuar gjithmonë, më ka folur për fenë dhe më ka frymëzuar. Nga ai moment kuptova që Milani ishte vendi i duhur për mua".

Gimenez ka lindur në Argjentinë, por është rritur në Meksikë, vendin që e konsideron si shtëpinë e tij: "Argjentina është vendi ku kam lindur dhe ku jeton familja ime, por në Meksikë kam kaluar të gjithë fëmijërinë dhe ndjej se jam më shumë meksikan. Gjithsesi, të dyja vendet i mbaj në zemër".

Ai e ka ndjekur futbollin me pasion që fëmijë dhe është rritur duke parë Serie A, që në atë kohë ishte kampionati më i fortë në botë. Gimenez e sheh golin si diçka më shumë se thjesht një moment futbollistik:

"Shënimi i golave ka një kuptim më të thellë për mua. Më pëlqen të falënderoj Zotin duke rënë në gjunjë para stadiumit të mbushur plot dhe para miliona shikuesve. Besoj se është mënyra më e mirë për t’i dhënë lavdi dhe për të treguar që me Zotin gjithçka është e mundur. Për një sulmues, goli është gjithçka. Është mënyra e vetme për t’iu kthyer tifozëve dashurinë dhe lumturinë që të japin".

Duke qenë se kaloi nga Feyenoord te Milani, Gimenez e pret me emocion përballjen mes dy skuadrave në Champions League: "Ishte emocionuese të shihja shortin. Në një mënyrë ose në një tjetër, unë do të përballesha me Milanin këtë sezon, qoftë si kundërshtar apo si pjesë e ekipit. Do të jetë një natë speciale për mua, pasi Feyenoord është një klub që më ka dhënë shumë dhe është momenti për t’i thënë lamtumirë siç duhet".

Gimenez shpjegon prejardhjen e pseudonimit të tij: "Kur isha i vogël, isha më i madh në trup se bashkëmoshatarët e mi. Për këtë arsye, prindërit dhe familja më quanin ‘Bebote’. Një mik i babait tim, Tito Villa, e përdori këtë nofkë gjatë një ndeshjeje në televizion dhe nga ai moment të gjithë filluan të më thërrisnin kështu".

Gimenez dëshiron të lërë gjurmë te Milani dhe të përfaqësojë me krenari Meksikën: "Është një nder të jem pjesë e këtij klubi. Nuk ka rëndësi kombësia, por fakti që jam te Milani më mbush me krenari. Dua të jap më të mirën për këtë fanellë dhe t’i bëj tifozët të lumtur".

Për besimin në Zot: "Për mua është gjithçka. Në një moment, kur nuk gjeja rrugën time, u takova me Jezu Krishtin dhe Ai më tregoi rrugën e duhur. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Besoj se me Zotin gjithçka është e mundur. E fillova këtë rrugëtim kur kisha një trombozë në krah dhe mjekët më thanë se duhej të ndaloja së luajturi futboll. Pikërisht atëherë e njoha Krishtin dhe Ai bëri një mrekulli, duke më lejuar të rikthehem në fushë".

Për numrin 7: "Numri 29 është ai me të cilin debutova dhe e mbajta edhe te Feyenoordi. Ai numër është i veçantë për mua, ashtu si edhe numri 11 që mbaj në kombëtare. Te Milani, numri 7 ishte i lirë dhe u përpoqa t’i jepja një kuptim. Edhe në Bibël, ai është numri i përsosur".

Për këshillën më të mirë që ka marrë: "Mbaj mend kur më thanë se duhej të ndaloja së luajturi futboll. U mbylla në dhomën time dhe e pyeta babain pse po më ndodhte kjo. Ai më tha se nuk e dinte, se duhej ta pyesja Zotin. Dhe me atë këshillë, jeta ime ndryshoi plotësisht. Aty fillova rrugëtimin tim me Zotin dhe me besimin".

Me entuziazmin dhe pasionin që e karakterizon, sulmuesi i ri duket i vendosur për të shkruar historinë e tij në Milano.