Boksierja algjeriane përjashtohet nga Botërori, nuk kalon testin e...

Imane Khelif është rikthyer në qendër të vëmendjes dhe këtë herë jo për një fitore, por për një tjetër përjashtim. Kampionia olimpike e boksit, e cila u bë kryefjalë për sfidën e saj ndaj italianes Angela Carini , nuk do të mund të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Femrave të planifikuar në Nish (Serbi) nga data 8 deri më 16 mars, për shkak të vendimit të IBA-s (Shoqata Ndërkombëtare e Boksit) . 

Federata Ndërkombëtare e ka bllokuar edhe një herë atleten algjeriane për shkak të niveleve tepër të larta të testosteronit dhe pranisë së kromozomeve XY në trupin e saj, aspekte që nuk e lejuan të kalonte testet e përshtatshmërisë të kërkuara nga IBA. "Imane Khelif nuk kualifikohet për Kampionatin tonë Botëror, ajo nuk i plotëson kriteret e pranimit. Rregulloret tona teknike përcaktojnë qartë kërkesat dhe kriteret për ngjarjen," shpjeguan organizatorët e Kampionatit Botëror "Ne kryejmë teste të përshtatshmërisë gjinore në mënyrë të rastësishme dhe do t'i bëjmë ato gjatë Kampionatit Botëror". 

Kjo nuk është hera e parë për Khelifin, pasi IBA e kishte ndaluar tashmë të garonte në Kampionatin Botëror të 2024-ës, por IOC (Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë), që ka rregulla të ndryshme, e lejoi boksieren afrikane të konkurronte për medaljen e artë në kategorinë e peshave të lehta, duke mundur në finale kinezen Yang Liu. Një rezultat që konfirmoi tezën e hedhur nga Khelif, e cila gjithmonë ka pohuar se është grua dhe që tani e gjen veten edhe një herë të përjashtuar.