Rubio: Salvadori do të strehojë kriminelë të çdo kombësie nga SHBA-ja

Presidenti i Salvadorit, Nayib Bukele ka rënë dakord të strehojë kriminelë të çdo kombësie nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë kriminelë të dhunshëm, deklaroi dje sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

”Bukele ka rënë dakord  të pranojë çdo të huaj të paligjshëm që është kriminel në SHBA, nga çdo kombësi, qofshin ata të grupit kriminal MS-13 apo ‘Tren de Aragua’ dhe do t’i strehojë në burgjet e tij”, tha Rubio pas një takimi me presidentin e Salavadorit.

Rubio shtoi se Bukele gjithashtu “ofroi të strehonte në burgjet e tij kriminelë të rrezikshëm amerikanë në paraburgim, përfshirë ata me shtetësi amerikane”.

“Asnjë vend nuk ka bërë ndonjëherë një ofertë të tillë kaq miqësore”, tha Rubio.

Bukele deklaroi në një postim në platformën e medias sociale X se ai i ofroi SHBA-së mundësinë për të “përdorur një pjesë të sistemit të saj të burgjeve.”

“Ne jemi të gatshëm të marrim vetëm kriminelët e dënuar (përfshirë shtetasit e dënuar amerikanë) në burgun tonë më të madh, në këmbim të një pagese”, tha Bukele.

“Tarifa do të ishte relativisht e ulët për SHBA-në, por do të ishte e rëndësishme për ne, duke e bërë të gjithë sistemin tonë të burgjeve të qëndrueshëm”, theksoi ai.

Në qershor Bukele fitoi mandatin e dytë si president.

Masat e tij të suksesshme, por të diskutueshme ndaj bandave kriminale që kishin terrorizuar për dekada të tëra Amerikën Qendrore, u konsideruan si çelësi i suksesit të tij elektoral.

Me rënien e krimit, popullariteti i Bukeles u rrit. Aktivistët denoncojnë arrestimet arbitrare dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Disa vjet më parë, vendi me rreth gjashtë milionë banorë kishte shkallën më të lartë të vrasjeve në botë.

Numri ka rënë ndjeshëm që nga marrja e masave. Çështja e migrimit luan një rol kryesor në udhëtimin e Rubios në Amerikën Qendrore. Gjatë fundjavës ai vizitoi Panamanë.

Pas vizitës së tij në Salvador, Rubio do të udhëtojë në Kosta Rika, Guatemalë dhe Republikën Domenikane.