Dashuria e Palermos për Falcone-n nuk ekzistonte

Shikoni këtë imazh. Ky është Giovanni Falcone duke dalë nga Pallati i Drejtësisë në Palermo.

"Në ato vite, makineria e luftës që lëvizte rreth Falcone-s të fuste frikën. Katër makina shoqëruese, oficerë me jelekë antiplumb dhe mitraloza, sirena dhe drita të ndezura, ‘gjurmët e frenimit’ në korsitë e autobusëve.

Dhe helikopteri shurdhues, pothuajse i mbështetur mbi çatitë e ndërtesave në Via Notarbartolo, pararojë e një ushtrie të vogël, të kalitur në betejë.

Falcone në ashensor me tre oficerë, ndërsa dy të tjerë ngjiteshin në këmbë dhe e paraprinin në kat. Nëse do ta vizitoje, duhej t’i nënshtroheshe kontrolleve shumë të hollësishme. Banorët e Palermos e shikonin me habi lindjen e atij "fenomeni".

Dashuria e Palermos për Falcone-n nuk ekzistonte

Qyteti thurte ligësi, zilia merrte formë, komentet helmuese po bëheshin sporti i preferuar i juristëve të minutës së fundit. Jo, dashuria e Palermos për Falcone-n nuk ekzistonte. Aq sa, pothuajse i turpëruar për ‘aq shumë shqetësim që i kish shkaktuar komunitetit’, gjykatësi nuk mundi të bënte gjë tjetër veçse të kufizonte edhe më shumë hapësirën e tij të lirisë.

Privatësia e tij vuajti edhe më shumë: natën vendosi të kishte një roje pas derës së tij, një mbikëqyrje që zgjaste 24 orë. Dhe hoqi dorë nga deti. Lamtumirë vizitat e befasishme në lokalin La Torre në Mondello, vendi i vetëm që, nga pikëpamja e sigurisë, ofronte ndonjë fije qetësie. Noti ishte praktikisht e vetmja "shkelje" e rregullave të një jete të mbyllur. Zgjodhi të kthehej te pishina bashkiake, me vështirësi, sepse duhej të sigurohej që të shkonte në orare jashtë fluksit.

Dhe kështu ai shfaqej ose në agim ose shumë vonë natën. Dhe gjithmonë në orare të ndryshme. Ndaloi edhe shkuarjen në kinema. Një vendim i detyruar, pasi sa herë shkonte, duhej të liroheshin katër rreshta ulësesh për të krijuar një lloj kordoni sanitar rreth tij. Ai vlerësoi dobishmërinë e shpikjes së video regjistruesve dhe kasetave. E lëre më restorantet. Kishte një kohë kur njerëzit ngriheshin dhe ndërronin tavolinë".

Kështu shkruan Francesco La Licata, në një libër të jashtëzakonshëm, "HISTORIA E GIOVANNI FALCONE-S". I cili kundërshton dy mite të rreme. Që njerëz si Falcone dhe Borsellino duheshin nga ata që i rrethonin, por jo, sepse komplikonin jetën e shumëkujt. Që të ishe hero si ata ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme, ndërkohë që, në atë ferr, ata ishin të dënuar me vetmi.

Fjalët nuk do të mjaftojnë kurrë...