Endri Shabani "sulmon" Arlind Qorin: Është totalisht përçarës, ka mentalitetin e Sali Berishës!
Endri Shabani, kreu i Nismës Thurje, i ftuar në “Të Pashoq”, ka folur lidhur me përplasjet mes Adriatik Lapajt dhe Arlind Qorit, duke artikuluar akuza ndaj kreut të Lëvizjes Bashkë.
Shabani e krahasoi Qorin me Sali Berishën, duke theksuar se kanë të njëjtin mentalitet dhe janë totalisht përçarës.
Negociatat, Arlind Qori më tha se nuk do të bashkëpunoj me askënd. Si po shkojnë negociatat?
Shabani: "Arlindi është vetëpërjashtuar, frymën e bashkimit e ka vetëm në emrin e partisë. Arlindi është totalisht përçarës në frymë, është njëlloj si Sali Berisha. Nuk e kam dëgjuar që të flasë ndonjëherë për Sali Berishën, Ilir Metën, Tom Doshin, por flet për mua, Adriatik Lapajn, Pano Sokon.
Arlindi nuk është aq hoxhë as prift që të shkojmë dhe ti betohemi. Nëse ne kemi veprime të gabuara ai duhet ta adresojë, sikundër ne bëjmë për cilindo. Ai ka mentalitetin e Sali Berishës".
Ishte shumë i indinjuar për incidentin me Lapajn. Secili ka versionin e tij, por për ju a ka pasur dhunë?
Shabani: "Duhet të kesh tolerancë të madhe për dhunën që të thuash se nuk ka pasur dhunë. Kjo për mua është dhunë, ishte një përzënie e dhunshme e një aktivisti tjetër. Kam thënë që ishte një përzënie e dhunshme. Së pari kemi një monopol kauzash, njësoj si ato monolopet që kanë zaptuar tregjet. Unë jam kundër këtyre.
Kishte një kauzë, fshehja e një ngjarjeje. Ne iu adresuam Ministrisë së Brendshme, Avokatit të Popullit, duke kërkuar informacione. Arlind Qori thirri një protestë, Adriatik Lapaj gjithashtu thirri një protestë, ndërsa ne si Nisma Thurje i kemi mbështetur si Qorin edhe Lapajn. Të dy protestat do të mbivendoseshin në një vend. Unë kam gjykimin se grupimi i Qorit është shumë i dhunshëm. Veprimet janë në favor të Edi Ramës".


