Macron prezanton planet për rinovimin e Muzeut të Luvrit: Tarifë më e lartë, dhomë për Mona Lizën dhe hyrje e re për vizitorët

Presidenti francez Emmanuel Macron ka prezantuar planet për rinovimin e Muzeut të Luvrit në Paris, duke përfshirë një tarifë më të lartë hyrjeje për vizitorët jashtë BE-së, një dhomë të dedikuar për Mona Lizën, dhe një hyrje të re madhështore.

Ky plan është pjesë e një nisme shumëvjeçare të quajtur “Rilindja e Re”, e cila synon të adresojë sfidat infrastrukturore të muzeut, përfshirë rrjedhjet e ujit dhe ndryshimet e temperaturës që kërcënojnë veprat e artit.

Kostoja e riparimeve është vlerësuar nga 700 deri në 800 milionë euro gjatë 10 viteve, ndërsa financimi do të vijë nga burime si donacionet dhe të ardhurat e biletave, me një pjesë të vogël që do të mbulohet nga taksapaguesit.

Një ndryshim i rëndësishëm është një tarifë e re për vizitorët jashtë BE-së, e cila do të aplikohet nga janari 2026.

Ky çmim, që ende nuk është përcaktuar plotësisht, do të bazohet në modelin e Muzeut Metropolitan të Artit në Nju Jork, i cili aktualisht ka një tarifë hyrjeje prej 30 dollarësh për vizitorët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, Mona Lisa do të zhvendoset në një dhomë të dedikuar dhe do të ketë një biletë hyrje të veçantë për t’i ofruar vizitorëve kushte më të mira dhe shpjegime më të thelluara mbi këtë vepër arti të njohur.

Një tjetër element i projektit është krijimi i një hyrjeje të re për vizitorët, e cila do të realizohet deri në vitin 2031, duke synuar të lehtësojë mbipopullimin e muzeut.

Ky projekt, i vlerësuar në 400 milionë euro, do të financohet kryesisht nga donacionet dhe të ardhurat nga muzeu, ndërsa shteti do të kontribuojë me një shumën prej 10 milionë eurosh për studimet paraprake.

Me këto përmirësime, Muzeu i Luvrit pritet të rrisë kapacitetin e tij për të mirëpritur deri në 12 milionë vizitorë çdo vit, nga 9 milionë sa janë aktualisht në vitin 2024.