Protestat trondisin Serbinë, Vuçiç kërkon ristrukturimin e qeverisë me largimin e më shumë se gjysmës së ministrave

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi dje në mbrëmje se i kishte ardhur një kërkesë për ristrukturimin urgjent të qeverisë duke shtuar se pret që më shumë se gjysma e ministrave të largohen.

”Në këto kohë të vështira politike ka dalë në shesh se kush është gati të luftojë, kush jo, kush është gati të punojë, kush jo, kush fshihet në një vrimë miu e kush jo. Prandaj, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave aktualë të ndërrohen në një ristrukturim shumë, shumë urgjent”, tha Vuçiç në një fjalim para qytetarëve në Pallatin e Serbisë.

Ai shtoi se puna duhet të vazhdojë dhe se vendi duhet të funksionojë.

“Vendi duhet të funksionojë dhe nuk ka detyrë më të rëndësishme për një qeveri sesa organizimi i jetës dhe përmirësimi i standardeve të jetesës. Dhe kjo duhet të trajtohet”, theksoi Vuçiç.

Ai tha se do të ketë shumë gjëra të rëndësishme këtë javë, që nga hapja e autostradave e deri tek ardhja e, siç tha ai, e mysafirëve të rëndësishëm.

Vuçiç në fjalimin e tij para qytetarëve tha se për shkak të situatës që ndodhi pas shembjes së tendës në Novi Sad ku vdiqën 15 persona, është e rëndësishme të fillojmë të flasim, sepse kjo gjendje në shoqëri nuk i përshtatet askujt.

Ai theksoi se thirrja për dialog nuk është dobësi.

“Kjo gjendje në shoqëri nuk i përshtatet askujt, nuk i sjell askujt mirë në Serbi. Do ta shihni pak më vonë se për këtë që do t’ju them, nuk kam aspak frikë për pasojat politike, përkundrazi, sepse më duket se edhe vullneti i popullit është më i qartë”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se kanë kaluar gati 90 ditë nga tragjedia e tmerrshme në Novi Sad ku humbën jetën 15 qytetarë tanë.

“Tragjeditë janë diçka që çdo vend përpiqet t’i shmangë. Ai vepron në mënyrë parandaluese dhe kur ato ndodhin, ai përpiqet të nxjerrë mësime nga ato tragjedi dhe i konsideron ata që kanë kryer vepra kriminale si përgjegjës dhe i ndëshkon në mënyrë adekuate. Në këta tre muaj, ne bëmë maksimumin për të treguar jo vetëm ndjeshmëri, por për të ndihmuar këdo”, theksoi ai.