Ankesa për sigurinë ushqimore/ Rritet numri i shqetësimeve, problem qumështi dhe mishi
1231 ankesa u regjistruan në vitin 2024 pranë Qendrës së Konsumatorëve lidhur me sigurinë ushqimore.
Sipas të dhënave, qytetet që kanë raportuar numrin më të madh të ankesave janë Shkodra, Tirana, Fieri, Vlora, Gjirokastra, Saranda dhe Berati.
Kreu i Qendrës Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit, Hasan Stafa evidenton se problemet më të shpeshta kanë të bëjnë me sigurinë e produkteve të qumështit, mishit dhe nënprodukteve të tyre.
Hasan Stafa ka theksuar gjithashtu shqetësimin lidhur me tregun informal, i cili vazhdon të përbëjë një rrezik për konsumatorët, pasi shpesh herë këtu nuk bëhen verifikime të mjaftueshme për cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore.
Një tjetër problem i ngritur është përdorimi i shisheve të përdorura më shumë se një herë, një praktikë që përbën një kërcënim për shëndetin e konsumatorëve.
Stafa rekomandon që të rritet vigjilenca ndaj këtyre praktikave dhe të ndërmerren masa më të rrepta për të siguruar që produktet ushqimore të jenë të sigurta dhe me cilësi.
