VIDEO+EMRAT/ Atentatet që tronditën Shkodrën, vetëdorëzohen dy anëtarët e grupit të Bajrave. Ja akuzat ndaj tyre

Janë vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës, Izmir Sakica e Samuel Troshani, që njihen edhe si dy prej anëtarëve të grupit të Bajrave.

Zyrtarisht ata janë në masë sigurie për një sherr të ndodhur në Shkodër mes tyre dhe babait të Alban Brucit, Vladimir Bruçi.

HISTORI KRIMESH

Aktualisht Alban Bruçi është shpallur në kërkim për sulmin me armë ndaj Arjon Kajoshit, i cili po lëvizte me makinën fuoristradë tip “Land Rover”, me targa AB230EO, të babait të tij, Sokol Kajoshi.

Boksieri kampion i Vllaznisë, 27 vjeç, i ka shpëtuar plumbave, teksa Policia tha se nga hetimet identifikoi si autor pikërisht të riun Bruçi.

Ky i fundit ishte i dyshuar nga drejtësia edhe për ngjarje të tjera (mes tyre edhe vrasja e Ismet Çekores më 25 Gusht 2022, por nuk u gjetën prova edhe pse u shoqërua si i dyshuar), por deri në momentin e atentatit të sotëm nuk ishte në listë kërkimi.

VIDEO+EMRAT/ Atentatet që tronditën Shkodrën,
Izmir Sakica e Samuel Troshani

Dy të vetëdorëzuarit e sotëm, Izmir Sakica e Samuel Troshani u shpallën në kërkim edhe për një ngjarje të ndodhur më 23 gusht 2024 në Bushat të Shkodrës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre dhe 2 vëllezërve Andrea e Aleksandër Prendi.

Pak muaj më vonë, Sakica dhe Troshani do të shpalleshin sërish në kërkim edhe për masakrën me katër viktima të 30 tetorit 2024 në Dobraç të Shkodrës, ku mbeti i vrarë Hamza Lici, vëllai i vogël i Ibrahim Lici dhe miku i tij Arlind Bushati djali i ish kandidatit të PD-së për kryetar bashkie të qytetit, si dhe viktima të pafajshme e kësaj përplasjeje të përgjakshme ishin edhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha.