Hapet sot aplikimi për 120 lexues të rinj të matësve elektrikë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) çel sot aplikimet për lexues të rinj të matësve të energjisë elektrike.

Administratori i OSHEE, Enea Karakaçi gjatë takimit me punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ku e pranishme ishte edhe zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se do të punësohen 120 lexues të rinj të matësve.

Nga ana tjetër ai informoi se po investohet për të vendosur matës inteligjentë në të gjithë territorin e vendit.

“Duam të kemi thithje të lexuesve të rinj sa më shpejt. Kërkohet që aplikanti të ketë përfunduar shkollën e mesme dhe të ketë dëshmi të pastër penaliteti.”, tha ai.

Karakaçi siguroi se për çdo moslexim të pasaktë të lexuesve që rëndon qytetarët, do të ketë penalitete.

“Janë vendosur filtra shtesë që të ruhet ajo kategori klientësh familjarë që shpesh herë mund të kalojnë fashën 700 kilovat”, deklaroi Karakaçi.

Një element i rëndësishëm, theksoi ai, është se numri i ankesave në 2024 shënoi ulje me 30%, krahasuar me 2023-shn.