Pikë kthese në evolucionin e njerëzimit - Kur hyri mishi në menu?
Përfshirja e mishit në dietë ishte një pikë kthese në evolucionin e njerëzimit, një katalizator i mundshëm për përparime si rritja e madhësisë së trurit.
Por shkencëtarët kanë pasur vështirësi të përcaktojnë kur ka filluar konsumimi i mishit dhe kush e ka bërë këtë.
Një studim i ri ofron dëshminë e parë të drejtpërdrejtë se Australopiteku, një paraardhës i rëndësishëm i hershëm i njeriut që shfaqte një përzierje tiparesh të ngjashme me ato të majmunëve dhe të njerëzve, konsumonte shumë pak ose aspak mish.
Dieta e tij ishte me bazë bimore.
Studimi përcaktoi dietën e shtatë individëve Australopitekë të zbuluar në Afrikën e Jugut, që që datojnë midis 3.7 dhe 3.3 milionë vjet më parë, bazuar në kiminë e smaltit të dhëmbëve të tyre.
Të dhënat tona sfidojnë supozimin se mishi ishte një përbërës thelbësor i dietës për Australopitekun, pavarësisht se disa ekzemplarë janë gjetur në lidhje me vegla guri dhe eshtra me shenja prerjeje," thotë gjeokimistja Tina Lüdecke, autore kryesore e studimit të publikuar në revistën Science.
Zbulimet sugjerojnë se konsumimi i mishit ishte një zhvillim i mëvonshëm, ndoshta nga popullatat pasuese të llojeve të ndryshme të Australopitekut ose nga lloje të tjera në linjën evolucionare të njerëzve, të quajtura kolektivisht homininë.
Australopiteku ka banuar në Afrikën Lindore dhe Jugore rreth 4.2 deri në 1.9 milionë vjet më parë.
Ai qëndronte në këmbë, por kishte përmasa fytyre të ngjashme me ato të majmunëve dhe një tru rreth një të tretën e madhësisë së trurit tonë
Lloji ynë, Homo sapiens, u shfaq rreth 300,000 vjet më parë.
Fosili më i famshëm i Australopitekut është ai me pseudonimin Lucy, i zbuluar në Etiopi në vitin 1974 dhe i vjetër rreth 3.2 milionë vjet.
Lucy, që me gjasë ishte femër, ishte rreth një metër e gjatë.
Meshkujt do të kishin qenë disi më të mëdhenj.
Dëshmia më e hershme për konsumimin e mundshëm të mishit ndër homininë përfshin eshtra kafshësh me shenja prerjeje të datuara rreth 3.4 milionë vjet më parë në Etiopi. Nëse këto përfaqësojnë therje për mish ka qenë subjekt debati.
Konsumimi i mishit gjithashtu mund të ketë kontribuar në rritjen e shtatit fizik, zvogëlimin e madhësisë së zorrëve, kompleksitetin social dhe përdorimin e veglave ndër homininët.
"Pyetjet kritike mbeten: kush ishte i pari që filloi të hajë mish, kur filloi kjo dhe kur u bë një burim mjaft i rëndësishëm për të shkaktuar adaptime morfologjike?


