Macron në vizitë zyrtare në Bejrut për të mbështetur lidershipin e ri
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron mbërriti sot në Bejrut në një vizitë zyrtare – ku pritet të takohet me homologun e tij, Joseph Aoun – dhe të ofrojë mbështetje – ndërsa liderët e Libanit kërkojnë të hapin një kapitull të ri në historinë e trazuar të vendit të tyre.
Pas më shumë se dy vitesh vakumi politik, më 9 janar Aoun u zgjodh president i vendit. Më pas, ai caktoi Nawaf Salam si kryeministër.
Tani, ata përballen me detyrën e frikshme për të udhëhequr Libanin pas një lufte shkatërruese mes Izraelit dhe Hezbollahut dhe krizës ekonomike prej disa vitesh.
Macron pritet gjithashtu të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres në kryeqytetin libanez – pasi po afrohet afati i fundit i 26 janarit për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hezbollah.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të 27 nëntorit, ushtria libaneze ka 60 ditë për t’u vendosur së bashku me paqeruajtësit e OKB-së në jug të Libanit ndërsa ushtria izraelite tërhiqet.
Vizita e Macron synon të ndihmojë Aoun dhe Salam për të konsoliduar sovranitetin e Libanit, për të siguruar prosperitetin dhe për të ruajtur unitetin e tij”, tha presidenca franceze përpara mbërritjes së tij.
Analistët thonë se dobësimi i Hezbollahut në luftën me Izraelin, vitin e kaluar i lejoi klasës thellësisht të ndarë politike të Libanit të zgjidhte Aoun dhe të mbështeste zgjedhjen e tij, Salam-in si kryeministër.
Franca ka lidhje të veçanta me Libanin, të cilin e administroi për dy dekada pas Luftës së Parë Botërore, dhe të dy vendet kanë mbajtur marrëdhënie të ngushta edhe që nga pavarësia e Libanit në 1943.
“Macron dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë për formimin e një qeverie të fortë në Liban”, tha dje presidenca franceze pas një bisede telefonike midis dy liderëve.
“Qeveria e re duhet të bashkojë njerëzit e ndryshëm të Libanit, të sigurojë respektimin e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit dhe të kryejë reformat e nevojshme për prosperitetin, stabilitetin dhe sovranitetin e vendit”, tha presidenca franceze.
Macron do të takohet gjithashtu me kryetarin e parlamentit të Libanit, Nabih Berri, një aleat i Hezbollahut.

