Rusia dhe Irani do të nënshkruajnë marrëveshjen e partneritetit strategjik
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian do të takohet me sot presidentin rus Vladimir Putin, në Moskë për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse 20-vjeçare bashkëpunimi midis dy vendeve.
“Pas nënshkrimit të traktatit, të dy udhëheqësit kanë planifikuar t’i drejtohen shtypit”, sipas Kremlinit.
Ukraina ka akuzuar Iranin se ka furnizuar Rusinë me dronë për luftën e saj ndaj vendit fqinj.
Moska ka arritur gjithashtu një partneritet të ngjashëm strategjik me Korenë e Veriut – që parashikon ndihmë të ndërsjellë ushtarake në rast të një sulmi nga një vend i tretë, ndër të tjera.
Koreja e Veriut besohet se ka dërguar mijëra ushtarë për të mbështetur forcat ruse në luftën kundër Ukrainës.
“Irani ka thënë se nuk ka nevojë për një klauzolë të ngjashme të ndihmës së ndërsjellë – pasi ai është në gjendje të kujdeset për sigurinë e tij”, sipas mediave shtetërore ruse.
Megjithatë, të dy vendet pritet të rrisin ndjeshëm bashkëpunimin ushtarak.
Meqenëse Irani dhe Rusia janë ndikuar shumë nga sanksionet perëndimore – Moska për luftën në Ukrainë, Teherani për programin e tij të armëve bërthamore – po planifikojnë të zgjerojnë ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik sipas marrëveshjes së re të partneritetit.
Marrëveshja vjen në një kohë të pasigurisë gjeopolitike në Lindjen e Mesme – për shkak të rënies së liderit afatgjatë sirian Bashar al-Assad, i cili mbështetej si nga Rusia ashtu edhe nga Irani.
Vetëm disa detaje të marrëveshjes janë shfaqur deri më tani. Media iraniane raportoi se marrëveshja do të përfshijë 47 pika që mbulojnë fusha si mbrojtjen, politikën, tregtinë, kërkimin, arsimin dhe kulturën.

