BE njofton paketën e ndihmës me vlerë 235 milionë euro për Sirinë
Shefja e Menaxhimit të Krizave të BE-së, Hadja Lahbib njoftoi sot një paketë të ndihmës me vlerë 235 milionë euro për Sirinë dhe vendet fqinje – gjatë vizitës së parë në vend që nga përmbysja e Bashar al-Asaad.
“Jam këtu për të njoftuar një paketë të re të ndihmës humanitare me vlerë 235 milionë euro (242 milionë dollarë) në Siri dhe në vendet fqinje”, tha Lahbib në një konferencë për shtyp në Damask pas takimit me liderin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa.
“Kjo tregon përkushtimin e Bashkimit Evropian për të qëndruar pranë njerëzve”, tha ajo, duke shtuar se financimi do të kontribuojë në nevojat themelore si strehimi, ushqimi, uji i pastër, kanalizimet, kujdesi shëndetësor, arsimi dhe urgjencat ndër të tjera.
Grupi islamik i Sharaa, Hayat Tahrir al-Sham (HTS) udhëhoqi ofensivën rebele që rrëzoi Assad-in më 8 dhjetor.
Një qeveri e përkohshme është caktuar për të drejtuar vendin deri më 1 mars.
HTS – i cili i ka rrënjët në degën siriane të Al-Qaeda – është përpjekur të sigurojë pakicat se nuk do të dëmtohen dhe se shteti i së drejtës do të respektohej.
“Jemi në një pikë kthese dhe vendimet që do të merren në ditët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtare”, tha Lahbib.
“Ju po shkruani historinë dhe ne do të dëshironim t’ju inkurajonim të lini një gjurmë pozitive. Ajo nis me ndërtimin e një të ardhmeje gjithëpërfshirëse për të gjithë sirianët”, shtoi ajo.
“Siria është e pasur në diversitetin e saj dhe çdo qytetar ka të drejtë të kontribuojë për të ardhmen e saj”, tha Lahbib.
Udhëtimi vjen dy javë pasi ministrat e Jashtëm nga Franca dhe Gjermania vizituan Sirinë, duke bërë thirrje për një tranzicion paqësor, gjithëpërfshirës.

