Shkelje e Kodit të mirësjelljes, akuza të pabaza dhe gjuha fyese, gjobiten tri parti politike në Kosovë
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar me 20.000 euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Vendimi vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje-parti në pushtet, është ankuar në PZAP se Xhenet Syka, kandidate e LDK-së për deputete, ka publikuar një video në rrjete sociale ku e krahason kryeministrin Albin Kurti me nazistin Adolf Hitler.
Gjoba duhet të paguhet në një afat prej 15 ditësh. Pas këtij vendimi ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës ku kandidati për deputet Besian Mustafa tha se ekipi i juristëve është duke e analizuar duke shtuar se ka informacion që është paraqitur kërkesa edhe në Gjykatën Supreme për shkak të nivelit të gjobës.
“Ekipi jonë i juristëve është duke analizuar, me aq sa kam informacion ka paraqitur dhe kërkesë në Gjykatën Supreme, për shkak të nivelit të gjobës. Sapo të marrim përgjigje përfundimtare do ju njoftojmë”, deklaroi ai.
Gjithashtu, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur me 12 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Vendimi vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar ankesë në PZAP duke thënë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte cenuar Ligjin për Zgjedhjet duke bërë akuza të pabaza.
Po të enjten, PZAP-ja dënoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.
Në vendimin e PZAP-së thuhet se dënimi vjen për shkak të gjuhës fyese që kryeministri Albin Kurti e ka përdorur gjatë një tubimi elektoral më 13 janar në Pejë. /KosovaPress

