VIDEO/ Mbyllen institucione paralele serbe në dhjetë komuna
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, posta e zyre tatimore në dhjetë komuna të ndryshme.
Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë. Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës.
Në videon e publikuar nga Sveçla shihet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.

