Xhixho: Shqiptarët të fundit për nivelin e të ardhurave për frymë, paguajnë për ushqimet më shumë në rajon

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi këtë të martë se shqiptarët paguajnë për ushqimet më shumë se qytetarët e rajonit, ndërkohë që renditen të fundit në rajon për nivelin e të ardhurave për frymë.

DEKLARATA E XHIXHOS

Rritja progresive e çmimit të ushqimeve i ka varfëruar shqiptarët, duke rënduar në mënyrë të veçantë te familjet me pak të ardhura dhe të pensionistët.

Në vitin 2024, Shqipëria e kishte nivelin e çmimeve të ushqimeve të shportës që përfshin miell, vaj, oriz, qumësht, sheqer etj., sa 91% e mesatares së vendeve europiane.

Një krahasim i çmimeve me Italinë tregon qartë se në Shqipëri i njëjti produkt kushton më shtrenjtë:

Vaji

Në Itali – 1.89 euro

Në Shqipëri – 3.5 euro

Makaronat

Në Itali – 0.99 euro

Në Shqipëri – 2 euro

Qumësht

Në Itali – 0.85 euro

Në Shqipëri – 1.5 euro

Miell

Në Itali – 0.55 euro

Në Shqipëri – 1 euro

Më shumë se çdo gjë tjetër, ky hendek flet për mungesën e shtetit social në Shqipëri dhe qeverisjen e korruptuar, e cila qytetarin e ka të fundit në listën e prioriteteve.

Jemi të fundit në Europë për fuqinë blerëse dhe për pagën minimale. Jemi të fundit për nivelin e pensioneve dhe skemat e ndihmës sociale.

Por, jemi të parët në rajon për çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike, me të cilin qeveria u tall duke njoftuar uljen me vetëm 1 lek.

Ndërkohë, taksa e karburanteve në Shqipëri është 3 herë më e lartë se në Maqedoninë e Veriut, dy herë më e lartë se në Bosnje dhe 2 herë më e lartë se në Kosovë.

Ne e paguajmë naftën më shtrenjtë se Singapori. Sipas “Global Petrol Prices”, një litër naftë në Shqipëri kushton më shtrenjtë se në Singapor, vend që i ka të ardhurat për frymë mbi 85 mijë dollarë.

Ndërsa blejnë më shtrenjtë se qytetarët e rajonit dhe një pjesë e mirë e atyre të Europës, ne kemi pagën mesatare më të ulët në rajon.

Kriza e njëpasnjëshme e ka rënduar ekonominë familjare të shqiptarëve, ndërsa qeveria nuk ka bërë asgjë për të amortizuar rritjen e çmimeve as për kategoritë në nevojë.

 Kjo qeveri, e cila në vitin 2013 premtoi se do ta bënte 0 TVSH e produkteve të shportës, vetëm sa i ka mashtruar shqiptarët. TVSH në vend është sot 20%, më e larta në rajon, në një kohë kur Serbia e ka vetëm 10%, ndërsa Maqedonia e Veriut 5%.

Sipas INSTAT, rreth 1 milion qytetarë jetojnë në varfëri. Nëse marrim parasysh shifrat e censusit, janë rreth 40% e shqiptarëve. Një qeveri që lë në varfëri gati gjysmën e popullit të vet është një qeveri e dështuar. Por më shumë sesa dështimin, ky është tregues i vjedhjes së parave të shqiptarëve.

60% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime, duke e kthyer në luks jetesën dhe arsimimin normal.

Përgjatë vitit 2025, me paratë e buxhetit të shtetit, pra pikërisht me paratë e mbledhura nga taksat e shqiptarëve të varfër, do të financohen 10 kontrata koncesionare që arrijnë vlerën 14.2 miliardë lekë. Janë para që u hiqen shqiptarëve, për të hyrë në xhepat e zyrtarëve dhe klientëve të qeverisë.

Partia e Lirisë do ta ndryshojë këtë qasje shkatërruese për ekonominë e shqiptarëve. Ne do të vendosim:

•      Nivel pagash mbi mesataren e rajonit.

•      Dyfishim të pagave të mësuesve dhe mjekëve.

•      Pagesë e kompensimit të padhënë si rezultat i mosindeksimit rreth 45 miliardë lekë që do të shpërndahen tek pensionistët, si dhe indeksim të vazhdueshëm vjetor.

•      Dyfishim të pensioneve, rimbursimin e ilaçeve.

   Uljen e çmimit të energjisë për pensionistët dhe të gjithë konsumatorët familjarë në vlerën 8 lekë/këh, nga 10.1 lekë/këh që është aktualisht

•      Ofrimi i shtëpive për çiftet e reja sipas modelit hungarez, krijimi i fondit të banesave për çiftet e reja, blerje me kosto të banesave të pashitura.

•      Kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje e kredisë me 3000 Euro për fëmijën e parë, 6 mijë për të dytin dhe 10 mijë për të tretin.

•      Ulje të TVSH për prodhimet bazë bujqësore nga 20% në 5%.

•      Shpenzimet për ushqimet bazë do të rimbursohen 5%.

•      Do të trefishojmë bonusin e bebes.

•      Taksa e sheshtë do të jetë në nivelin 10%.

Me programin tonë “5 Prioritete për 4 milionë shqiptarë plus”, ne do e rikthejmë qeverisjen në shërbim të qytetarëve.