PD: Elisa manipulon procesin zgjedhor duke vendosur Tom Doshin si parti opozitare krah Berishës, në favor të PS-së
Sekretari për Çështjet Ligjore pranë Partisë Demokratike, Ivi Kaso tha sot përmes një deklarate për mediet, se Partia Socialiste ka renditur Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit, si formacion opozitar dhe jo si formacion i koalicionit qeverisës.
“Ky është një cenim i rëndë i së vërtetës, moralit politik dhe qytetar dhe shkelje me të dyja këmbët e barazisë në zgjedhje”, u shpreh ai.
Sipas Kasos, qytetarët e dinë se me kë është rreshtuar Tom Doshi që nga Tirana dhe deri në Shkodër, që nga 2011-a e deri në 2025-ën.
IVI KASO: Elisa që e nisi në botën e Çudirave, me pretendimin se do shpëtonte dynjanë, ka kaluar tani në Botën e Çmendurirave. Sipas një plani të parapërgatitur për të manipuluar që në zanafillë, me çdo mjet dhe mënyrë zgjedhjet e 11 majit, në shkelje të plotë të ligjit dhe me skuthëri politike, ajo, duke përdhosur rolin e kryeparlamentares, e ka vendsour partinë e Tom Doshit në krah të opozitës së Sali Berishës.
Në një përgjigje që i ka kthyer intersimit të KQZ për rreshtimin e partive në Kuvend, kryetarja e Parlamentit, që me këtë mund të quhet e sharlamentit, e paraqet Partinë Social-Demokrate, të aleatit kryesor të Edi Ramës, heroit të zgjedhjeve të lira, Tom Doshi, jo si formacion të koalicionit qeverisës, por atij opozitar.
Ky është një cënim i rëndë i së vërtetës, moralit politik dhe qytetar dhe shkelje me të dyja këmbët e barazisë në zgjedhje.
Qytetarët e dinë se me kë është rreshtuar Tom Doshi që nga Tirana dhe deri në Shkodër, që nga 2011-a e deri në 2025-ën. Analistët mund të hapin dokumentacion online të KQZ dhe të shohin se, edhe në letra, aleanca Rama-Doshi është e fiksuar.
Elisa e Çmendurirave i di të gjitha këto, por e bën për t’i hyrë në qejf shefit, për të cënuar zgjedhjet e 11 majit, dhe për të ndihmuar Partinë Socialiste me një patericë të radhës. Duke nuhatur se i kanë punët keq, fusin në punë çdo mjet të padrejtë dhe antiligjor për të dëmtuar opozitën dhe procesin e votimit.
Pse e bën gjithë këtë?
Qëllimi është për të grabitur një numërues të opozitës në zgjedhjet e ardhshme dhe për t’ja kaluar Doshit, i cili do të hiqet si e parti e opozitës, por do të militojë, numërojë e zhvasë për mazhorancën e NarkoRamës.
Ky falsifikim bie ndesh me dhjetra vendime të KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, të cilët përcaktojnë se opozitë nuk të bën vetëdeklarimi, por mbështetja që i jep në Kuvend nismave të qeverisë.
Këtë skandal opozita nuk ka për ta lejuar, dhe e paralajmëron Lajen e Kuvendit se, po nuk u tërhoq vetë, do paditet në SPAK për abuzim dhe shpërdorim me detyrën si dhe falsifikim. Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt hajdutërie që dëmton balancat mes palëve në një vend ku të gjitha pushtetet janë në kthetrat e Ramës dhe mjaullimat e elisave të oborrit. Sa për Tomën, si hero të opozitarizmit, kundër Ramës në zgjedhje, edhe çakejtë maleve qeshin kur e dëgjojnë.
