IZRAEL – Ministri i Financave Smotrich zotohet të kundërshtojë marrëveshjen e Gazës

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, u zotua sot se do të kundërshtojë çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ndërsa zyrtarët e lartë raportuan progres drejt sigurimit të një marrëveshjeje.

Që nga fillimi i janarit, negociatat indirekte të ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rifilluar në Doha – për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do të lehtësonte gjithashtu lirimin e dhjetëra pengjeve që ende mbahen në Gazë.

“Marrëveshja e propozuar është një katastrofë për sigurinë kombëtare të Izraelit”, tha Smotrich në X.

“Ne nuk do të jemi pjesë e një marrëveshjeje dorëzimi që përfshin lirimin e terroristëve të rrezikshëm, ndalimin e luftës, shpërdorimin e arritjeve të fituara me vështirësi dhe të paguara me gjak – dhe duke braktisur shumë pengje ende në robëri”, shtoi ai.

“Tani është koha për të intensifikuar përpjekjet tona, duke përdorur të gjithë forcën në dispozicion – për të siguruar dhe pastruar plotësisht Rripin e Gazës”, shtoi ai.

“Ne duhet të marrim kontrollin vendimtar të ndihmës humanitare për të parandaluar shfrytëzimin e saj nga Hamasi dhe të hapim portat e ferrit në Gazë derisa Hamasi të dorëzohet pa kushte dhe të gjitha pengjet të kthehen të sigurt”, tha ai.

Ministri i Jashtëm, Gideon Saar ndërkohë tha se Izraeli “po punonte shumë” për të arritur një marrëveshje që do të lehtësonte lirimin e robërve.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij danez, Lars Lokke Rasmussen sot në Jerusalem, Saar tha se kishte pasur progres në negociatat për lirimin e pengjeve.

“Izraeli, me të vërtetë dëshiron të lirojë pengjet dhe po punon shumë për të siguruar një marrëveshje”, tha Saar.

Smotrich, një anëtar i koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka kundërshtuar vazhdimisht ndalimin e luftës në Gazë.

Deklarata e tij erdhi mes thirrjeve në rritje të izraelitëve, veçanërisht familjeve të pengjeve të mbajtura ende në Gazë, për të arritur një marrëveshje që do të sillte në shtëpi të dashurit e tyre.