SHBA ngre mure, kartelet hapin tunele... Zbulohet rruga nëntokësore për trafikun e drogës dhe emigrantëve
Agjentët federalë amerikanë kanë zbuluar një tunel të sofistikuar që lidh El Paso-n, Teksas, me Ciudad Juarez të Meksikës.
Tuneli ishte i pajisur me energji elektrike dhe sistem ventilimi, i cili përdorej nga trafikantët për të transportuar njerëz dhe drogë.
Sipas raportimeve autoriteteve lokale në El Paso, tuneli ishte rreth 1,2 metra i gjerë dhe 1,8 metra i lartë, dhe ishte lidhur me sistemin e kullimit të ujërave të shiut në Boone Street, vetëm disa metra larg kufirit.
Pamjet nga brenda tunelit tregojnë rrugën e gjatë dhe strukturën e mbështetur vetëm me trarë druri.
Hetimet e deritanishme kanë nxjerrë në pah se tuneli është ndërtuar gjatë vitit të fundit.
Agjentët kanë nisur një operacion për të gjetur dhe arrestuar personat përgjegjës për krijimin dhe përdorimin e tij.
Shefi i Sektorit të Kufirit në El Paso, Anthony Good, vlerësoi punën e agjentëve që zbuluan tunelin dhe kritikoi rrezikun që paraqet përdorimi i rrugëve të tilla.
Ky zbulim vjen pas gjetjes së një tjetër tuneli në kufirin Arizona-Meksikë.
Në vitin 2020, tuneli më i gjatë ndonjëherë u zbulua mes Tijuana-s dhe San Diego-s, i pajisur me sistem hekurudhor dhe ashensor.
