11,7 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë vitin e kaluar, Rama: Në 9 muaj sollën 3.8 milionë euro
Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të vizituara nga turistët nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë kuriozitet të shohin nga afër pasuritë kulturore si dhe natyrën e bukur shqiptare si në zonat malore edhe në bregdet.
Shifrat e turistëve të huaj i bëri publike kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “11,7 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2024, me një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023”.
Në rrjetet sociale Rama shprehet se përveç hyrjeve nga rajoni dhe shteteve si Italia, Gjermania, Spanja apo Britania, ka edhe një zgjerim të fluksit të vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane.
Rama më tej shton se Shqipëria nuk është thjesht kuriozitet, por është në rrugë të mbarë për rritjen e qëndrueshme në shifra për turizmin dhe në krijimin e një oferte serioze e të diversifikuar turistike.
Në këto performanca Rama shton se ndikues ka qenë rritja e standardeve të strukturave akomoduese, promovimit prestigjioz dhe eksperiencave të krijuara vit pas viti.
Ndërkaq rritje të vizitorëve parashikohet që të ketë edhe përgjatë këtyre 12 muajve.
REAGON EDHE KUMBARO
Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se “Shqipëria është në rrugë të mbarë për sa i përket rritjes së qëndrueshme në nivel fluksesh hyrëse, si dhe ka konsoliduar një ofertë turistike dhe të diversifikuar”.
Më herët, ministrja Kumbaro e ka quajtur vitin 2024 si “prova e zjarrit”, për ruajtjen e sukseseve të arritura në vitin 2023 në turizëm dhe sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për shifrat dhe Bankës së Shqipërisë për rritjen ekonomike, ky vit që shkoi shfaqi një rritje të qëndrueshme në të dy aspektet.

