Berisha: Eksportet, në agoni të plotë prej narko-eurove që po shkatërrojnë ekonominë e vendit. Ja si do ndërhyjmë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon konferencë me gazetarët teksa deklaroi se eksportet, të cilat janë motori ndër më kryesor i punësimit të shqiptarëve dhe i prodhimit në Shqipëri, janë në agoni të vërtetë.
DEKLARATA E BERISHËS
Eksportet, të cilat janë motori ndër më kryesor i punësimit të shqiptarëve dhe i prodhimit në Shqipëri, janë në agoni të vërtetë.
Janë në rënie pikiatë, çka do të thotë mijëra e mijëra shqiptarë humbasin vendet e punës dhe kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Edi Rama dhe qeveria e tij, siç keni konstatuar edhe ju, nuk shqipërojnë një herë të vetme fjalën eksporte.
Ai u pushtoi të dielën shqiptarëve, në një akt pacipësie ekstreme, se nuk kam qenë kështu apo kam qenë ashtu, sikur shqiptarët kanë hallet e jetës së tij personale dhe jo hallet e kafshatës, hallet e punës, hallet e jetës, të cilat rëndohen çdo ditë e më shumë nga vjedhjet e mëdha të kësaj qeverie.
Eksportet u mbyllën me një rënie mbi 14 për qind, kurse prodhimi shënoi semestrin e gjashtë në rënie.
Dhe këtu siç e shihni ju, flitet vetëm për turizmin, turizmin, turizmin, nga i cili çdo shqiptar paguan nga taksat e tij 230 euro dhe fiton gjithsej 4 euro. Është absolutisht e vërtetë.
Kurse eksportet, që janë fibra e vërtetë e punësimit, e prodhimit, e shfrytëzimit të potencialeve njerëzore dhe natyrore të vendit, për ato nuk flitet fare.
Kjo situatë katastrofale e eksporteve, në të cilat është shënuar thellimi më i madh prej 430 miliardë lekë i deficitit tregtar.
Kjo situatë ka në bazë para së gjithash aktivitetin kriminal të qeverisë shqiptare dhe bandave të saj.
Kjo situatë, në themel të kësaj goditje tepër të rëndë qëndron narkoeuro e grupeve kriminale, që futet me kontejnerë, futet me automjete, futet me të gjitha mënyrat në Shqipëri dhe investohet e tëra në kullat e Edi Ramës dhe qeverisë.
Pra, narkoeuro është bërë shpata e Demokleut mbi eksportin shqiptar. Imagjinoni ju, rënia e euros me 35-40 përqind, çfarë do të thotë për këta sipërmarrës.
Është e domosdoshme një ndërhyrje urgjente për shpëtimin e eksporteve dhe nxitjen e tyre. Së pari, qeveria do krijojë bordin e fiksimit të euros. Nuk mundet që narkoeuro të shkatërrojë në këtë mënyrë ekonominë shqiptare.
Qeveria do kompensojë eksportuesit për të gjithë humbjen që kanë nga rënia e euro dhe kompensimi do jetë nga niveli i euros në treg me nivelin e fiksuar nga qeveria.
Pra, në qoftë se themi një euro me 138 lekë dhe në treg shkëmbehet me 100 lekë, çdo euro do i kompensohet eksportuesit me 38 lekë. Në këtë mënyrë ne do zerojmë efektin toksik të narkoeurove në ekonominë shqiptare. Të paktën në eksportet.
Krijimi i bordit do të jetë një nga aktet e para pas inaugurimit të qeverisë së PD-së. Së dyti, qeveria do të ulë taksat në mënyrë drastike në të gjitha sipërmarrjet e eksportit. Do të heqë TVSH-në për energjinë.
Do të lidhim direkt marrëveshje me sipërmarrjen energjetike për të blerë energji pa TVSH, për të blerë naftë pa TVSH, pa akcizë.
Përndryshe ekonomia eksportuese po vdes, nuk do kemi më eksporte, do jemi një shtet që vetëm importon dhe qarkullon eurot e baronëve të drogës.
Do t’u jepet mundësi që teprica kreditore, që nuk e marrin ndonjëherë, të përdoret lirisht për të paguar tatimin mbi të ardhurat personale, kontributin e sigurimeve shoqërore dhe çdo detyrim tjetër korrent fiskal.
Thashë, përveçse do i sjellë pa TVSH të gjitha investimet kapitale, energjia elektrike do jetë pa TVSH. Çmimi për energjinë elektrike për eksportet do jetë njëshifror, jo dyshifror.
Ulje e madhe e kontributit të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit. Po të kemi parasysh se ne tani shpallim rrogën minimale 500 euro, atëherë është e nevojshme disa lehtësira për punëdhënësin. Dhe kjo është një nga lehtësirat që bëhen për të.
Dogana do ndërrojë tërësisht qëndrimin ndaj eksportuesve. Çdo shpenzim i tyre në dogana do mbulohet nga shteti, jo nga eksportuesi.
Do krijohet zyra e mbrojtjes së eksporteve, e cila ka për qëllim t’i mbrojë ato nga çdo lloj arbitrariteti burokratik dhe mafioz, presionet e ndryshme dhe do bëjë çdo gjë për konkurrencë të lirë dhe të ndershme.
Ne kemi besim se me këto masa të shpejta, ne do rikthejmë interesin e sipërmarrësve të huaj dhe shqiptarë për të prodhuar dhe eksportuar në Shqipëri.
Shqipëria mund të jetë një eksportues shumë i rëndësishëm, por këto eksporte kanë njohur një rënie shumë të dhimbshme.
A mund të imagjinoni një shtet oruellian ku flitet nga mëngjesi gjer në darkë për turizmin dhe nuk flitet në një emision për eksportet që punësojnë mbi 100 e sa mijë të punësuar. Është sektori kryesor i punësimit në industri.
A mund të bëjmë një marrëveshje, që të themi që të gjitha reagimet janë të Fugës dhe jo të SPAK-ut?
Pse kjo? Normalisht çdo institucion ka të drejtën për të pasur zëdhënës, ky është institucioni i vetëm në botë që nuk ka zëdhënës.
Pra, të bëjmë këtë marrëveshje, të quajmë Fugën zëdhënës të SPAK-ut.
Se sa be të rreme bën SPAK-u, nuk ka institucion që i bën. Gënjeshtra!
Po a e patë ju atë Alfred Shehajn? Ai ka firmosur atë që Olsi është i pastër, po se cili është i paidentifikuari, nuk e dimë.
E dimë që nuk është Olsi, po nga e gjete se nuk është Olsi, se kur nuk thua është Olsi, do thuash se kush është tjetri.
Pra, bë të gënjeshtra, rrena komplet. Kurse zëdhënësi i merr të gjitha nga Fuga, d.m.th i merr nga Rama...
...Historia e dëshmitarëve të rremë është historia e një tashmë e konsoliduar në disa raste dhe Rama mendon se do montojë njëlloj si me Ervin Salianjin me dëshmitarë të rremë, një kallëzim të rremë.
Por kësaj here Rama është në çark sepse Olsi nuk hetohej vetëm nga skapistët, Olsi fatmirësisht ka hetime të tjera mbi të.
Prandaj i them unë Ramës se do kesh lajme. Sot i dhashë disa, të tjera mund t’i jap në kohë të tjera.
Tani këtu kemi të bëjmë me një dallim themelor.
Ata që unë i quaj dhe ligji i njeh si kriminelë, Edi Rama i njeh për çuna.
Çunat e Londrës, çunat e Dubait, çunat e Meksikës. Kjo është e vërteta.
Ai e pohon që i ka takuar, por këta i quan çuna, nuk i quan krimi i organizuar.
Ai është njeriu me biseda më të shumta nga politikanët me këto Encrochat dhe SKY ECC. Kam biseduar me çunat, thotë. Ai nuk e konsideron krim drogën.
Këtu kemi të bëjmë me dallimin esencial mes meje dhe çdo njeriu dhe atij. Ata janë normal, thotë, bëjnë ca para. Droga është para, thotë, nuk është krim.
Po të nisesh me këtë koncept, ai është në rregull. Por e vërteta është tjetër.


