Shtyhet seanca për “5D”-në/ Drejtorët "hajdutë" të Tiranës kërkojnë gjykim të shkurtuar, SPAK e përforcon dosjen duke shtuar prokurorët
Drejtorët e Bashkisë së Tiranës të arrestuar gjatë hetimeve të dosjes 5 d kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Në GJKKO nisi procesi i përballjes mes palëve, por pa mundur të realizohet seanca e parë
Është shtyrë për në 28 Janar seanca paraprake për dosjen “5D”, e planifikuar për t’u mbajtur ditën e sotme, ku GJKKO do të vendosë nëse do e kalojë dosjen e SPAK-ut për gjykim apo do e kthejë mbrapsht për plotësim hetimesh.
Mësohet se shkak për shtyrjen e seancës ka qenë mungesa e avokatit të një prej të pandehurve, ku siç mësohet jo zyrtarisht nga mediat, ai do të kërkojnë gjykim të shkurtuar për klientin e tij.
Ka dështuar seanca e parë në Gjykatën e Posaçme për dosjen “5D” ku të pandehur janë marrë ish-drejtorët e bashkisë Tiranë dhe njerëzit më të besuar të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Burime bëjnë me dije se Redi Molla dhe Mariglen Qato të konsideruar nga SPAK si pronarët faktik të kompanisë famëkeqe “5D” që akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim i kërkuan togave të zeza gjykimin e shkurtuar.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ish-drejtori tjetër, Taulant Tusha, që ndaj tij rëndon akuza e shkelje e barazisë në tendera.
Por jo vetëm ata. Kërkesë të njëjtë kishin edhe Enton Punavija, Nestor Muhametllari, Albano Janku e Julian Zanaj.
Me këtë kërkesë në fund kur trupa të shprehet me vendim atyre do t’iu ulet 1/3 e masës nëse do të shpallen fajtorë.
Duke qenë se dosja është voluminoze dhe e ndarë me fraksione ku po hetohen dhe zyrtarë të tjerë të baskisë, prokurorit Klodian Braho i është ardhur në ndihmë edhe Anita Jella.
Në mbyllje të hetimeve, SPAK thotë se Redi Molla dhe Mariglen Qato akuzohen si pronarë faktik të “5D konstruksion”, e regjistruar në emër të Nestor Muhametllarit.
Në të dy institucionet subjekti ka përfituar 12 tendera duke u favorizuar me shumën prej 192 milionë e 700 mijë lekë.
Paratë lëviznin përmes faturave fiktive duke iu dhënë në dorë pronarëve realë, sipas SPAK-ut, por dhe për funksionimin e shoqërisë. Madje përmes tyre Molla e Qato krijuan pasuri të tjera.
Në sekuestro u vu kompania “5D” dhe pasuritë e Redi Mollës dhe Mariglen Qatos së bashku me familjarët në vlerën 107 milionë lekë.
Gjithashtu, në administrim të shtetit kanë kaluar kuotat në aksione që ata kishin në dy kompani “Restur” dhe “Mediterranean Investment Group”.
Po ashtu, SPAK dyshon se pronarë të vërtetë të kompanisë “5D” nuk janë vetëm Molla e Qato, por ka dhe persona të tjerë apo dhe që janë përdorur dhe marrë përfitime në këtë subjekt.
HETIMET E SPAK-ut
Më 26 Dhjetor, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve paraprake dhe dërgoi për hetim dosjen “5D”, ku mori të pandehur tre ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha, dhe Enton Punavija, si dhe shtetasit Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhametllari dhe shoqërinë tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k.
Sipas SPAK Redi Molla dhe Mariglen Qato nga hetimet ka rezultuar se janë pronarë “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion” sh.p.k., të cilët e kanë përdorur për të fituar para publike nga tenderat e Bashkisë së Tiranës dhe institucionet në varësi të saj.
“Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal janë mbledhur provat dhe është provuar fakti se; i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato në cilësinë e ish Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe ish Kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë kanë qënë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Të pandehurit e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktivë në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore.” – thuhej në njoftimin e SPAK.
Sipas organit të akuzës, në 12 procedurat e prokurimit që janë përfituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik, kjo shoqëri tregtare ka realizuar përfitime monetare në total në shumën 192,779,188 lekë.
Kjo kompani ka pëfituar tendera nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë gjatë kohës kur Redi Molla ka qenë drejtor, si dhe Mariglen Qato anëtar i Komisuionit të Vlerësimit të Ofertave.
Në lidhje me marrjen e pandehur të shtetasve të tjerë, SPAK sqaroi si më poshtë.
“Nga hetimet e kryera është provuar fakti se i pandehuri Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe të pandehurit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në tre procedurat e prokurimit të organizuara nga Bashkia Tiranë, kanë favorizuar dhe i kanë krijuar shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.” – thuhej në komunikatë.
SPAK bëri me dije se ka vendosur me vendim GJKKO-je sekuestro preventive ndaj kompanisë “5D Konstruksion”, shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k dhe 24% e kuotave në shoqërinë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k.
Gjithashtu, janë sekuestruar edhe pasuri të paluajtshme në zotërim të të pandehurve, Redi Molla, Mariglen Qato dhe të afërmëve të tyre, të financuara plotësisht apo pjesërisht nga të ardhura me burime financimi që përbëjnë produkte të veprës penale, me vlerë totale prej rreth 107,989,000 lekë.
Në lidhje me kallëzimet e bëra nga Belind Këlliçi, SPAK bëri me dije se e ka ndarë dosjen në fragmente më vete.




